
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka dhënë një deklaratë për mediat përpara hyrjes në Kuvend, ku ka sulmuar sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Kryemadhi foli për rastin e ri të korrupsionit të zbuluar nga SPAK, lidhur me kartën bankare të dhënë nga biznesmeni i tij kushëri Adrian Shatku, përmes së cilës ka shpenzuar 244 mijë dollarë për veshje, bileta avioni e hotele në vende të botës.
Kryemadhi shënjestroi Blushin, teksa tha se në vend që të lexojë dokumentet të SPAK për të, duhet të flasë për Ergys Agasin apo Ulsi Manjën.
Kryemadhi e akuzoi Blushin se e largoi Metën nga shtëpia, i largoi njerëzit nga Partia e Lirisë, duke shtuar me ironi se tani që u bë deputet, nuk e di se çfarë kërkon që të marrë më.
“Tedi Blushi mori ca kishte për të marrë. I largoi të gjithë këshilltarët në presidencë kur ishte Meta, i largoi nga partia e Ilir Metës, të gjithë kontribuuesit dhe themeluesit e partisë. E gënjeu se ia kanë hequr vjehrrin nga puna por e ka akoma nëndrejtor te spitali i burgut.
Nuk e di ca do më. Deputet u bë. Nga shtëpia e largoi Ilir Metën, takimet e kalamajve ua djeg në burg Blushi. Nëse do edhe një fustan apo një palë këpucë me taka të miat ia jap me qejf. Të dalë e të flasë njëherë për Ergys Agasin, për Ulsi Manjën, apo nuk guxon dot se ka gruan në punë aty.
Ai është izoluar Meta, është një nga të burgosurit më të izoluar në burg, edhe dje nuk e lanë djalin për të hyrë. Pra ky zotëria përpara se të dalë të lexojë deklaratat e SPAK për Kryemadhin, le të dalë të bëjë një deklarata për drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve, për ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Kryemadhi.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke komentuar pjesëmarrjen e Monika Kryemadhit në fushatë, e cilësoi si një “shaka të madhe”.
Sipas Blushit, Kryemadhi ftonte qytetarët të votonin për Ilir Metën, e në të njëjtën kohë godiste bashkëpunëtorët më të afërt të tij.
“Zgjedhjet e 11 majit ishin terrorizëm elektoral. Ka pasur kërcënime për largim nga puna dhe është përdorur masivisht administrata publike. Partia e Lirisë ka nisur analizën e rezultatit.
Nuk doja të flisja për temën e fushatës, është shaka e madhe që ndërkohë që fton njerëzit që të votojnë Metën, godet bashkëpunëtorët e tij më të afërt. 8000 heronj në kushte të vështira presioni e shantazhi votuan për presidentin Ilir Meta.
Këtë javë mbyllim procesin e analizës. Do të vetëpastrojmë partinë, nga ata individë që kanë përfituar nga PL dhe Meta, por që janë sot pranë Edi Ramës. Këta individë i kanë marrë fytyrën vetes së vet.
Votat e Partisë së Lirisë janë tjetërsuar. Pra votat nuk janë tretur, pasi njerëz të PL janë aktivë. Partia ka strukturë solide. Meta në qendrën e tij të votimit doli më mirë se edhe ne të tjerët që ishim në liri. Sigurisht që ka vend që të vetëpërmirësohemi. Ka qenë parti që është goditur fort, teksa presidenti i partisë mbahet në izolim ekstrem”, tha Blushi një muaj më parë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/