Kur përmendim NGOP, të paktë janë ata që nuk e njohin, madje shumicës në mënyrë të natyrshme i vjen për të qeshur. Ngop ështe një media online e kthyer në një fenomen, me gati gjysmë milioni ndjekës në rrjetin social Instagram, dhe miliona klikime në youtube.
Është e njëjta media që në periudhën e vështirë të pandemisë solli aq të qeshura me “Maçin”.
Mbrapa këtyre dublimeve aq simpatike, qëndrojne disa djem që bëjnë një punë të palodhur, të cilët përveç dublimeve kanë prodhuar për ndjekësit një larmi skeçesh dhe mini seriale. Një prej tyre është dhe K.O.T (Katunars of Tirana), një satirë modeste dhe pikante, e cila ka patur sukses absolut ne Youtube. Ka qene e qartë, që me këtë serial, çunat nuk ja kanë ngopur kot. Simpatia e publikut për personazhin e Qemalit i luajtur nga Marsijon Durmishi bëri që të mendohet për vazhdimin e historisë, dhe jo me sezonin e dytë të një mini seriali ne youtube, por me një film me metrazh të gjatë.
Prodhimi i një filmi artistik 90 minuta, nga një media online me pothuajse zero eksperiencë në këtë fushë, ka qenë një sfidë më vete. Një skenar që garanton të qeshura nuk është mjaftueshëm, por kur bashkohet me vullnetin dhe dashurinë për punën atëherë është e mundur. Ngop ka vënë në dispozicion të filmit të gjithë burimet dhe infrastrukturën e saj, për ti dalë në krye vetë, me shumë pak sponsora dhe gati zero ndihmë nga “të mëdhenjtë” e kësaj fushe. K.O.T (The Movie) ështe një satirë e sinqertë, ashtu pa filter, “alla Ngop”.
Këtë herë e shikojmë Qemalin dhe jetën e tij treqind e gjashtëdhjetë gradë, bashkë me personazhet që e shoqërojne, si “Plaka”, apo “Pronari I Tiranes” i luajtur nga Grei Dajlanaj. Në film tregohen përpjekjet e një provinciali naiv për të mbijetuar në një Tiranë të pasinqertë, lufta e përditshme me pamundësinë dhe papunësinë. Një tjetër problematikë që trajtohet gjatë filmit ështe dhe kasta politike e korruptuar, e cila mundohet të fusë në vorbullën e pistë të intrigave dhe një personazh si Qemali. Të gjitha këto ngjarje vijnë të para nga këndvështrimi komik i personazhit kryesor, i cili dhe në momentet më të errëta nuk dështon të shkaktojë të qeshura. Gjithçka ndodh në këtë një orë e gjysmë, por më e rëndësishme është që ka humor në çdo fragment, atë që njerëzit presin nga Ngop dhe atë që Ngop di të bëjë më mirë.
Filmi do të fillojë të shfaqet në datën 2 maj në Cineplex (TEG dhe QTU) dhe kinema Millenium. Gjithashtu K.O.T (The Movie) do të shfaqet në kinematë e të gjitha qyteteve në Shqipëri.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/