Tirana nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 me Skënderbeun në Korçë, në ndeshjen e Superligës. Një nga episodet më të rëndësishme të pjesës së parë erdhi në minutën e 26-të, kur Rashica fiton një penallti. Korçarët morën avantazhin, pasi Ardit Nikaj u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Bardheblutë shtojnë presionin dhe shumë pak para se skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes, ia dalin të vendosin ekuilibrat. Ishte Kaina Nunes që nga fare pranë portës, pas një topi të kthyer nga portieri, gjen rrugën e rrjetës.
Djemtë e Gvozdenoviç rikthyen avantazhin në minutën e 73-të, goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në minutat e mbetura, të dyja ekipet insistuan për fitoren dhe rastet ishte prezente.
Me këtë barazim, Tirana renditet në vendin e 3-të me 18 pikë. Skënderbeu, në krahun, është në vendin e gjashtë me 14 pikë. Në ndeshjen tjetër të elitës, barazim 1-1 i Teutës (Daci 45+, 90+ Myrta) ndaj Laçit.
Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur pas ndeshjes mes Skënderbeut dhe Tiranës në qytetin e Korçës. Teksa bardheblutë po bëheshin fati të largoheshin nga stadiumi, tifozë të skuadrës vendase kanë vandalizuar autobusin e ekipit kryeqytetas.
Siç shihet në fotot e siguruara nga “Panorama Sport”, tifozët vendas kanë goditur me gurë automjetin, duke thyer një nga xhamat anësorë të tij.
Për fat, asnjë nga futbollistët bardheblu nuk ka qenë aty i pranishëm në ato momente dhe nuk ka pasur të lënduar nga ky incident i shëmtuar në përfundim të një ndeshje shumë të ndezur e të luftuar mes dy skuadrave në fushën e lojës.
Flet trajneri i Skënderbeut
Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic, foli për mediat pas barazimit 1-1 me Tiranën.
“Për mua nuk ishte i drejtë barazimi. Kishim 3-4 raste për gol. Nuk jam i kënaqur me një pikë, pasi Nikaj kishte rast shënimi në pjesën e parë”, u shpreh tekniku Gvozdenovic.
-A nuk të duket se u tërhoqet mbrapa shumë shpejt, menjëherë pasi shënuat?
“Ndoshta mund të rrinim pak edhe më lart. Në fakt nuk iu thashë lojtarëve që të rrinin mbrapa. Por Tirana ushtroi shumë presion dhe ishim të detyruar të qëndronim mbrapa. Por përsëri kishim mundësi për golin e dytë. Unë e di cilësinë e Tiranës, por nuk kemi realizuar dhe ishte një gol që ishim të pafat”.
-A iu shqetëson fakti që keni shumë pak nga ajo ç’ka Skënderbeu arrin të prodhojë?
“Është e drejt, por mendoj se kemi sulmues të mirë. Kemi Rashicën dhe Nikaj që janë të rinj. Kemi cilësi, por duan pak kohë. Sot kemi krijuar shumë raste për gol dhe kjo ishte diçka pozitive” – Tha ai.
Trajneri i Tiranës
Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj analizoi barazimin 1-1 ndaj Skënderbeut.
“Në shumë momente të lojës, bëmë atë që kishim punuar. E kishim shumë të thjeshtë për ta zgjidhur ndeshjen. I shpërdoruam rastet. Një skuadër në shtëpi bën maksimumin dhe provon me rastet e veta.
Atë që pamë pas 25 minutave të para, atë kishim përgatitur. Në minutat e para, isha pak më nervoz. Skuadra u kthye atje ku duhej. Për minuta të tëra ishim në lojë, deri sa shënuam edhe gol. Vazhduam edhe pjesën e dytë, më pas mungesat që kemi dhe lojtarët e rinj, bënë që të vihemi pak në vështirësi. Kemi shumë rrugë për të bërë.
Vazhdimësia do të tregojë ecurinë e skuadrave. 8 pikë janë shumë, por edhe pak. Duhet të rrisim lojën, sepse cilësinë e kemi, po ashtu edhe lojtarët i kemi. Po aktivizojmë edhe lojtarët e rinj, që po fitojnë eksperiencë dhe forcën për nivele të arta. Sot ishim me shumë mungesa. Jam shumë i kënaqur me atë që tregoi skuadra. Situata te Tirana është shumë e qetë. Çdo trajner ka gjërat e veta. Mua më shqetëson kur loja nuk është ashtu siç e përgatisim. E kishim përgatitur ndeshjen, ashtu siç u shfaqëm në fushë për shumicën e kohës” – Tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/