Pirro Naçi
Ç’farë nuk na kanë shkruar këtë vitë europianët, duke filluar nga gazetat më të mëdha e deri në sitet turistike!… E kanë përshkruar Malvidet e Europës, Sarandën dhe Ksamilin…Shumë bukur! Po ne ç’bëjmë ?… Ç’farë dhe si promovojmë turizmin ? Kam mendimin se nuk dimë se ç’farë bëjmë. Ose ndoshta i ‘’dimë’’ të gjitha. Po e filloj nga faqja ‘’zyrtare’’ e facebookut të Ministres së Turizmit…Në kulmin e sezonit turistik, ja reklama për turizmin Shqiptar. Dy dite më parë… ‘’Ndëshkim për hotelet që ndotin’’… Tre dytë më parë, ’’Plazhin e shijove, qejfin e bëre, ushqimet i hëngre… Po plehrat pse i le në mes të rërës’’. Para 4 ditësh…’’Ndalo. Ktheu merr qesen që fluturove nga xhami’’…Para 5 ditësh …’’Po çfarë borxhi të kemi more …plehër (i paudhë)’’ . Më 1 gusht …’’Turp e faqja e zezë po e po’’… më 31 korik një tjetër postim për plehrat…
Nuk po zgjatem me këtë lloj ‘’reklame’’ dhe ‘’propagande’’ që bën ministrja në kulmin e sezonit turistik. E the një herë, hajde dy, mjafton… Muaji hyn muaji del, plehrat në mes të rrugës…e në mes të facebookut. Kjo është të nxjerrësh sytë në vend të vetullave. Jo se këto probleme nuk qëndrojnë dhe nuk duhet sensibilizimi i njerëzve, por këtë e bëjmë nga janari në qershor e nga tetori në dhjetor, jo në kulmin e sezonit …Kjo është ‘’e ndaluar’’ të paktën në muajt e pikut. Vetëm këtë të kuptojnë… mjafton. Kjo lloj ‘’propagande’’ më kujton ato ‘’tabelat e emulacionit’’ dhe ‘’fletë- rrufetë’’… e para 40-50 viteve. Por, edhe xha Sulon te ‘’Kapedani’’ që hidhte ato letrat për ta ndotur sheshin dhe të ‘’bërtiturat’’ e ‘’fshesaxhijes numër një të Shqipërisë’’ …ndiiihm, ndiiihm, ndiiihm. Kjo do të jetë ‘’strategjia’’ e zgjidhjes së këtij problemi kaq të mprehtë, duke vendosur orare e duke bërtitur ndihmë, ndihmë, ndihmë, sikur japim ‘’koncert në vitin 1936’’ për mbeturinat e hoteleve dhe lokaleve në vijën bregdetare? E njëjta gjë vit për vit.
A do të vazhdojmë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe me Ministrinë e Turizmit të merren me plehrat? Probleme këto që kërkojnë zgjidhje konkrete dhe bashkëkohore. Një problem që nuk ndodh vetëm në vendin tonë… Edhe Korfuzi e kishte këtë shqetësim. Madje ishtë një nga shembujt më negativ të menaxhimit të mbetjeve. Greqia u dënua nga Gjykata Europiane, por u ulën dhe gjetën zgjidhje…
Bashkia e Korfuzit i mbledh dhe i dërgon 250 km larg mbeturinat …me një kosto 65 euro tonin!!! Zgjidhje të tilla duhet ti kërkojmë edhe ne dhe jo të ‘’survejojmë’’ njerëzit dhe të ngrejmë ‘’kulla vrojtimi’’ mbrapa kazanëve të plehrave…
Të paktën nga ato ç’ka shikojmë në faqet e internetit të Ministrisë dhe të institucioneve të saj, këto informacione marim. Por e keqja është se këtë ‘’virus’’ ministrja e Turizmit më duket se ja ka ‘’ngjitur’’ edhe Kryetarit të Bashkisë së Sarandës. Po të shikosh faqen e Kryetarit në fb…çdo javë e njëjta vjoli… Saranda nuk ka vetëm plehrat dhe mbeturinat. Ka një mijë e ca probleme që nuk mund t’i japë zgjidhje. Por ka edhe shumë të tjera për të promovuar… Kush e mban gjallë turizmin në Sarandë, shteti dhe pushteti lokal apo investitori privat?… Nuk pashë në faqen e Kryetarit një sarandiot apo kushdo qoftë ai, që punon me familjen të mbajë gjallë hotelin, restorantin apo zyrën turistike. Nuk pashë në këtë faqen resortet apo hotelet e Sarandës e të Ksamilit që sjellin turistë nga mbarë bota. Nuk pashë kamarjerin apo guzhinierin, atë tregtarin, peshkatarin, ata fshatarët me prodhimet nga avllitë e shtëpisë… Këta e mbajnë gjallë turizmin në Sarandë. Jo ato që ju promovoni në faqen e facebookut…z. Kryetar, ‘’Plehrat… me pamjen më të mirë në botë’’ ! Nga ‘’Malvidet’’ e Evropës!
Disa bëjnë politika të vogla me turizmin dhe ‘’padashur’’ shkelin në ‘’dërrasën’’ e kalbur të reklamës negative. Ndoshta për ta, edhe ajo, është reklamë! Ku po shkoni ‘’këmbëzbathur’’ mbi gjemba, o të …‘’paudhë’’?
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/