
Në takimin përmbyllës elektoral të mbajtur në Librazhd, kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e hapi fjalimin me një koment ironik në drejtim të Tomor Alizotit, i cili kohët e fundit ishte shprehur me tone të forta ndaj tij, duke deklaruar se “kam qejf ta ha të gjallë”.
“Kam ardh me shumë frikë. Gati desh u ktheva mbrapsht se ka dal njëri këtej që do të na hajë gjallë. Nuk po e shoh gjëkundi atë,” – tha Rama me dozë humori, duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë.
Kreu i qeverisë shtoi më tej: “Sot kemi dhe takim të madh përmbyllës në Elbasan dhe ju falënderoj shumë që jeni kaq shumë këtu. Duke ju pa kaq shumë, edhe mua më del pak frika se ai kur thotë do hamë, ai ha me gjithë mend.”
Duke iu rikthyer qëllimit të takimit, Rama theksoi rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen politike të vendit, duke i ftuar qytetarët të marrin pjesë në votime:
“Sot dua t’ju marr pak kohë për t’ju bërë një pasqyrë të çfarë duhet mbajtur parasysh për Shqipërinë sot dhe çfarë do të bëjmë në vijim. Shpresoj dhe uroj durimin tuaj. Po hy në temë duke ju thënë që ky është një moment i rëndësishëm dhe duhet të përpiqemi që çdokush ka të drejtën e votës, edhe pse mund të jetë krejt në anën tjetër, të bindet se në 11 maj duhet të na bashkohet.”

Rama dhe Alizoti
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Tomor Alizoti, më 1 maj, gjatë mitingut të opozitës, iu drejtua kundërshtarëve, duke i paralajmëruar që të mos preknin votën, pasi PD kishte mundur baballarët e tyre që kishin tanke dhe ushtri, e jo më socialistët e sotëm.
“Unë kam shumë qejf të flas, por kur është doktori, flas shumë shkurt. Më vjen mirë që Librazhdi dhe Prrenjasi është në shesh dhe ka vrarë frikën. Çdo e vërtetë ka nevojë për guximtarë dhe PD është partia e guximtarëve. Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shpia për t’ju marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri! Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve natën në shtëpi, mos guxoni t’i prekni dhe kërcënoni, sepse liria e njerëzve është e shenjtë”, tha ai.
Dhe në fund, teksa i tha Berishës që të merrte fjalën pasi atë e kishin frikë më shumë, Alizoti përsëriti kërcënimin e tij, duke i quajtur kundërshtarët “analfabetë dhe maskarenj”:
“Nëse prekni demokratët, nëse vini mina, do ju ndjekim, s’do t’ju ndahemi kudo që të jeni. Do t’ju hamë të gjallë! Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj! Doktor jepi sepse ty të kanë më shumë frikë!”, tha Alizoti, duke ia lënë radhën e fjalimit kreut të partisë, Sali Berisha.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/