Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj është arrestuar dje në Tiranë. Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së, është bërë me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës.
Policia e Tiranës tha se Dritan Goxhaj, u arrestua në kryeqytet, me qëllim ekstradimin. Ndaj tij ishte caktuar masa “Arrest në burg”, ndërsa urdhër-arresti ishte lëshuar nga Gjykata Speciale.
Dritan Goxhaj ka qene shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë gjatë vitit 1999. Ai i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”-tha policia.
Avokati i Goxhajt u shpreh se në këtë arrestim sheh ‘duar të zgjatura të Serbisë’.
“Në këtë përfundim, konstatoj duar të zgjatura të Serbisë për t’i çuar luftëtarët e UÇK në gijotinë. Më tej do të shikojmë kërkesa për ekstradim. Nuk është një procedurë që bëhet menjëherë. E vërteta sado të zhytet, nuk mundet, Dritani di të durojë sepse ka duruar edhe makinerinë e plumbave serbe”, tha ai.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-anëtarit të UÇK-së në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale, Dritan Goxhaj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së tha se arrestimi i Goxhajt është bërë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një “gjykatë politike”.
“Në Gjykatën Speciale është penguar drejtësia nga vet ajo, duke i rrjedhur dokumentet e saj, si dhe duke i publikuar “viktimat” e me këtë edhe dëshmitarët. Edhe arrestimi i Dritan Goxhaj, bëhet për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një gjykatë politike”, ka shkruar Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së.
Ish-pjesëtari i UÇK-së në Tiranë, Dritan Goxhaj u arrestua sot në Tiranë nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/