
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në prezantimin e kandidatëve të PD dhe të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në Vorë, ku theksoi rëndësinë e rikthimit të fokusit tek familja shqiptare dhe mbështetja ekonomike për të gjitha brezat.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal tek sfidat sociale dhe ekonomike me të cilat përballen qytetarët, duke i cilësuar ato si pasojë e keqqeverisjes aktuale.
“Familja shqiptare ka nevojë të mbështetet ekonomikisht që pensionistin që ka në varësi mos ta ketë barrë. Familja ka nevojë që vajza dhe djali i saj të mos marrin rrugët sepse sofra nuk i mban më, por të shkollohen, të punësohen dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre këtu, në vendin e tyre,” tha Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë se ndryshimi është i mundur me votë. Sipas tij, koalicioni opozitar ofron një alternativë reale për të ndalur emigrimin masiv dhe për të garantuar mirëqenie dhe shpresë për çdo familje shqiptare.
Berisha premtoi se qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri.
“Ne jemi sot këtu për t’u zotuar, se do bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaj, se do hiqet mesatarja. Se tarifat e studimeve do të pjesëtohen me 3 apo 4 herë. Se pas studimeve, çdo i ri dhe çdo e re do të mbështetet për punësimin. Qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri.
Qeveria do paguajë çdo gjë, të gjitha shpenzimet për trajnimin e të rinjve para se të fillojnë punën.
Qeveria do të financojë me kredi të buta çdo projekt të tyre për të ndërtuar një biznes të vogël, një start up, do t’i bëjë atyre të mundur. Një çati për çift, do të jetë zotimi ynë para atyre.
Një çati për çift do të thotë se, qeveria do t’i mbulojë të rinjve me një grant prej 30 mijë eurosh, të gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive. Dhe se, ata të cilët do të bëhen me 3 fëmijë, kredinë do ta kenë të paguar tërësisht nga qeveria.
Pra, miqtë e mi, familja shqiptare pas 11 majit do të ketë mundësi të tjera.
Rroga minimale, nuk do jetë kurrë ndën 500 euro. Çdo sipërmarrësi do t’i kompensohet me ulje taksash rritja e rrogës minimale në 500 euro. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro. Po rrogat mbi minimale, që të gjitha, me një vendim të vetëm qeverie, rriten me 13%, sepse ne do të ulim tatimin mbi të ardhurat personale nga 23% në 10%.
Do investohet shumë, mundësi të reja për shkollimin.
Sot, arsimi është në një rrokullisje të vërtetë, në një rrokullisje të madhe, në një rrokullisje mjerisht më të madhe në botë, dhe nuk do doja kurrë të thoja një gjë të tillë. Por, ka një provë, ka një test, që e bën organizata e vendeve të zhvilluara, OECD-ja, dhe fëmijët tanë në këtë test të vitit 2006-2013, në këtë test ata dolën me një ngjitje vertikale.
Kurse, për periudhën 2016-2023, ata u paraqitën me rënien më të madhe në botë, me rënien prej 69 pikëve në matematikë, një nga lëndët bazë. Në rënien më të fundit në mendimin krijues. Pse kjo, miq? Sepse, arsimin e shkatërruan. Sepse klasat i bashkuan jashtë çdo kriteri. Sepse, ju vodhën të gjithë kompjuterët. Sepse, nga interneti në çdo shkollë që vendosëm, internet të blerë të tërin nga satelitët, me një kosto shumë të lartë, sot në shkollat shqiptare ka vetëm 5% internet.
Atëherë, nga të shkojë arsimi i lartë?
Mësuesit, nga mësues për dijen, për arsimin, sollën militantë për partinë, dhe i dhanë arsimit goditjet më të rënda.
Unë jam këtu për t’u garantuar ju se, fëmijët tuaj do të kenë shkollat më të mira. Se përsëri, teknologjia digjitale do të zbatohet në çdo shkollë. Se modernizimi i shkollave, do të jetë përparësi e madhe. Mësuesi, do të vendoset në piedestalin që i takon, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro”- tha Berisha.
Në fjalën e tij, ai drejtoi kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për sjellje të papërgjegjshme dhe për largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
“Edi Rama nuk është kloun, por për hir të karriges së tij e bën atë rol. I lejon vetes gjëra që nuk i bën një njeri normal dhe mendon se me këto do t’u hedhë hi syve njerëzve,” deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi rolin e grave dhe të familjes në shoqëri, duke theksuar se ato janë goditur rëndë nga politikat e qeverisë. Berisha tha se është i bindur që më 11 maj, ato do t’i japin kryeministrit atë që meriton.
“Gratë, nënat dhe motrat do t’i japin atij atë që meriton, atij që u ka përzënë fëmijët nga vatra familjare, që i fyen djemtë, bashkëshortët e baballarët si një ordiner,” shtoi ai.
Duke e cilësuar ditën e zgjedhjeve si një moment vendimtar, Berisha e quajti 11 majin “ditën e pastrimit të shtëpisë” dhe u zotua për një përballje të vërtetë me korrupsionin.
“Po, Edi, do ta pastrojmë shtëpinë. Vora dhe Shqipëria nuk bëhen tokë e Zotit nëse nuk pastrojmë shtëpinë nga këto që keni bërë këto 12 vite. Të gjitha miliardat euro të zhdukura do bëhet e pamundura që të gjenden dhe t’u kthehen shqiptarëve.”
Berisha e mbylli fjalimin duke theksuar se zgjedhjet e 11 majit janë një mundësi për të “rikthyer shpresën në sofrat shqiptare” dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/