
Dashnor Sula ishte foli edhe sot për situatën aktuale në Partinë Demokratike. Sula u shpreh se situata në kampin opozitar është shumë e vështirë dhe sipas tij, PD nuk mund të fitojë zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se Berisha nuk duhet të kandidojë për kryeministër, duke shtuar se ai duhet të ndajë pushtetin brenda PD-së. Sipas Sulës, Berisha u jep pushtet deputetëve si Flamur Noka e Albana Vokshi, ndërkohë që fushatën e bëjnë të tjerë.

Dashnor Sula
Sula u ndal dhe tek Lulzim Basha, për të cilin tha se nuk ia fal kurrë që ai nuk ka deklaruar publikisht se gjatë kohës që ishte kryetar, PD-në në fakt e drejtonte Sali Berisha.
“Situata është jashtëzakonisht e vështirë për demokratët. Nuk e them këtë për të gjuajtur apo dëmtuar Partinë Demokratike dhe Opozitën. Unë i them gjërat siç janë, në mënyrë që të zëmë mend dhe këto të mos përsëriten. Por në PD, këto gjëra po përsëriten. Është e turpshme dhe e pafalshme, është tradhti ndaj demokratëve. Unë ka qenë i vetmi që kam thënë se ne opozitarët duhet të jemi të bashkuar. Kjo është çmenduri brenda llojit.
Është e pafalshme për njerëzit pranë Berishës dhe Berishën vetë që nuk arrit të bashkonte demokratët. Do duhet të ndante pushtetin për të shpëtuar shqiptarët dhe opozitën. Berisha nuk duhet të kandidonte më për kryeministër. Lulzim Bashës nuk i fal këtë, që nuk doli e tha ‘unë nuk jam kryetari i PD’. Kush i dogji mandatet? Basha nuk u bë kurrë kryetar i PD-së. Ishte thjesht një administrator. Edhe tani, Berisha nuk ka për të lejuar asnjë tjetër të jetë kryetar, sërish do vendosë administrator. Partia Demokratike në këto kushte nuk i fiton zgjedhjet. Ndaje pushtetin, mos mbaj pushtetin për Flamur Nokën, për Albana Vokshin, për tjetrin, që i urrejnë dhe vetë demokratët jo më qytetarët. Fushatën në terren e bën Jorida Tabaku, e bën Dhurata Çupi, e bën Belind Këlliçi. Këta të tjerët flenë gjumë, e kanë siguruar mandatin.”– tha Sula.
Pasi u la jashtë listës së PD-së, pak javë më parë, Sula iu referua largimit të tij me termin “më shporrën” teksa tha se nuk e kishte imagjinuar këtë moment. Megjithatë ai tha se nuk është nga ata politikanë që “kalon ylberin”, duke nënkuptuar se nuk do bashkohet me asnjë forcë tjetër.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/