![](https://shekulli.com.al/admin/wp-content/uploads/2025/02/Rama-per-pensionet1-716x450-1.jpg)
Kryeministri Edi Rama në Konferencën Ndërkombëtare për reformën e pensioneve deklaroi se Banka Botërore dhe FMN i kishin kërkuar qeverisë shqiptare që të ulte pensionet dhe të rriste çmimet e energjisë. Rama u shpreh se qeveria shqiptare i ka thënë “Jo” këtij skenari.Gjithashtu, kreu i qeverisë nënvizoi se reforma e pensioneve në vitin 2014 ka qenë e suksesshme dhe rriti ndjeshëm pensionet.
“Banka Botërore na kërkoi të ulnim pensionet dhe të rrisnim çmimin e energjisë. Përgjigjja jonë ishte JO. Ne do të reformojmë sistemin. Nuk rrisim çmimin e energjisë sepse do të reformojmë sistemin dhe do të garantojmë që të gjithë të paguajnë. Kjo ka ndodhur. Ashtu sikundër në sistemin e pensioneve është menduar sot për sot dhe u krijuan premisat e një skeme në prag të kolapsit”, tha Rama.
Edi Rama: Më kujtohet, ose më saktë duke ardhur për këtu mu kujtua se si e kemi nisur qeverisjen në takimin e parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar që pastaj pati po atë qasje edhe kur u takuam me Bankën Botërore. Rrisni çmimin e energjisë, ulni pensionet dhe filloni paguani borxhin që i keni të tretëve.
Ishim një vend që kishim një borxh prej 1.2 miliard eurosh vetëm në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, si rezultat i gjysmës që nuk paguante dhe gjysmës tjetër që paguante edhe për gjysmën që nuk paguante. Vetëm borxhet ndaj kompanive të kontraktuara për ndërtimet në infrastrukturë kalonin shumën e 400 milion eurove.
Dhe përgjigja jonë ishte: jo, ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë, por ne do të fillojmë të vëmë rregull dhe të garantojmë që të gjithë të paguajnë energjinë. Nuk e harroj përfaqësuesin e FMN-së, i cili qeshi dhe tha unë e kam vizitën e parë në Shqipëri, por kam bërë detyrat e shtëpisë, kam lexuar procesverbalet, shënimet e të gjithë paraardhësve të mi nga takimet me kryeministrat shqiptar pas zgjedhjeve dhe të gjithë kanë thënë të njëjtën gjë, nuk do të rrisim çmimin e energjisë sepse do të reformojmë sistemin dhe do të garantojmë që të gjithë të paguajnë dhe kjo nuk ka ndodhur.
Në reformën e 2014 për pensionet bëmë një proces si sot, përfshimë mjaft aktorë dhe bashkëpunuam me eksperten që na vuri në dispozicion BB. Një histori suksesi kjo. Nuk është e thënë që të gjitha historitë me BB të jenë histori suksesi, por në këtë rast ishte dhe sot kemi dy pasqyra përballë, atë të pensioneve që kanë në pension pas 2014 dhe atyre që kanë dalë para 2014. Janë dy pasqyra që mund të shërbejnë për shumë leksione dhe mësime në shkollë lidhur me si dhe sa mund ta dëmtojë një politikë dritëshkurtër një shtresë të tërë të popullit. Pensionistë sot të cilët kanë patur të njëjtat vite pune, kanë paguar të njëjtat sigurime shoqërore por kanë dalë në sistem në kohë të ndryshme para dhe pas reformës, marrin 2 pensione të ndryshme. Sot mjekë, mësues ekonomistë, njerëz nga sistemi i drejtësisë që kanë dalë në pension pas 2014 marrin pensione mbi 500 euro, ndërsa kolegët e tyre që kanë dalë në pension para 2013, marrin pensione shumë të më ulta.
Rama foli sot edhe për premtimet e partive opozitare lidhur me rritjen e pensioneve në vend.
Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për sfidat dhe ambiciet e reformës së re të sistemit të pensioneve për Shqipërinë 2030, kreu i qeverisë iu referua deklaratave të PD dhe partive të vogla duke theksuar se ato “i hapin luftë fakteve dhe ekspertizës” ndërsa shtoi se “kështu shkojnë në humnerë me sytë mbyllur”.
Megjithatë, Rama tha se qeveria do ndajë gjithmonë 2 bonuese për pensionistët, në fundvit dhe pranverë.
“Jemi afër një dite zgjedhjesh, të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme. Kjo do të thotë t’i hapësh luftë fakteve, t’i kthesh kurrizin ekspertëve, ekspertizës dhe të hidhesh me sy mbyllur drejt një humnere, do të thotë që hajde të bëjmë një ditë festë me gjithçka kemi dhe pastaj nesër le të bëhet qameti. Ne nuk mund ta bëjmë dot këtë. Do të ecim paralelisht me bonuset të cilat janë rritur në aspektin sasior dhe në aspektin e kohës së dhënies së tyre. Nga një bonus të fundvitit kemi kaluar në dy bonuse, në fundvit dhe në pranverë”, tha Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/