Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj ka raportuar në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi, duke thënë detaje në lidhje me këtë koncesion.
Ai ka folur edhe për një udhëtim në Itali me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, Ilir Beqaj ku kanë nisur një bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias.
Ai u pyet nga Albana Vokshi nëse biznesmeni Ilir Rrapaj ka qenë pjesë e delegacionit. Rjepaj u përgjigj duke thënë se Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes.
“Ka qenë një vizitë në dhjetor 2013 për të nisur një bashkëpunim me Universitetin të Peruxhias. Unë kam qenë pjesë e delegacionit në Umbria. Ka qenë edhe ministri dhe këshilltari për mediat, mesa mbaj mend. Ne na ka pritur profesor Masimiliano Brili dhe doktoresha Vanesa Rosi. Ka pasur një takim me presidenten e rajonit të Umbrias. Kemi bërë edhe një vizitë studimore në spitalin San Xhovani në Romë” ka thënë ish-zv.ministri i shëndetësisë në komision.
Në rreth Ilir Rrapaj, Klodian Rrjapaj dhe Ilir Beqaj
Albana Vokshi: Në të gjitha vizitat ka qenë edhe Ilir Rrapaj pjesë e delegacione dhe Umbro Staccini?
Klodian Rjepaj: Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me rajonin e Umbrias. Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar tekstin e marrëveshjes në këtë drejtim.
Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka thënë se nuk e njihte fare biznesmenin Ilir Rrapaj, me të cilin është takuar në Itali gjatë vizitës që përmend zëvëndësi i tij. Por pasi e mohoi në media doli fotoja më lart, që tregoi se Beqaj ishte pritur në Itali nga biznesmeni me të cilin kreu më vonë disa udhëtime dhe i dha koncensionin 100 milion euro.
Nga dosja e SPAK, kuptohet se miqësia e Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit.
Sipas dosjes së SPAK, udhëtimet jashtë vendit të Ilir Beqes janë disa, si me Admir Dacën që ka firmosur kontratën, ashtu edhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, që me 1 mijë euro kapital arriti të “fusë në xhep” pjesën e luanit në 100 milion euro PPP.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, ka zbuluar SPAK.
Një tjetër detaj që tregon për një marrëdhënie të ngushtë mes Beqes dhe biznesmenëve ishte lënia në përdorim e makinës së ministrit, ku dhëtonte biznesmeni Rrapaj dhe zv.ministri Klodian Rrjepaj.
Në dosjen e prokurorisë është gjetur pas verifikimeve se “shtetasi Ilir Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar nga shoferi i zëvendës ministrit të Shëndetësisë. Ky shtetas ka udhëtuar gjithashtu me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja”.
Ilir Rrapaj ishte një biznesmen i panjohur në qarqet e biznesit në Shqipëri deri në vitin 2013. Para se socialistët të vinin në pushtet, ai ishte pronari i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë.
Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.
Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.
Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj u shpall fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.
Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Sot ai është në paraburgim, ku pret gjykimin për një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në vendin tonë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/