Organizata e OKB-së për mbrojtjen e refugjatëve, UNHCR njoftoi se do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për transferimin e emigrantëve në kampe në territorin shqiptar.
Këtë e pohoi zëdhënësja e UNHCR-së, Louise Donovan për Agjencinë gjermane Katolike të Lajmeve, KNA. Italia planifikon t’i sjellë emigrantët e parë duke nisur nga shtatori. E si për të fashitur të gjithë shqetësimet e ngritura ndaj ujdisë, UNHCR, siç pohoi Donovan, planifikon një prezencë tremujore për t’u siguruar aty “se garantohen të drejtat dhe dinjiteti i personave të prekur”.
Roli i saj do të jetë kryesisht vëzhgues por edhe këshillues. Në fokus do të jenë jo vetëm e drejta për azil, por edhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe një proces i drejtë për personat që kanë nevojë për mbrojtje. Në fund të procesit të vëzhgimit, organizata e OKB-së do të paraqesë propozimet e saj të përmirësimit tek qeveria italiane dhe “aktorë të tjerë të interesuar”.
Ndërkohë, në raportin e saj të fundit, Organizata Ndërkombëtare për Emigrimin, flet për një rënie të ndjeshme muajt e fundit të numrit të emigrantëve që shkojnë me varka në Itali. Shifra rezulton të jetë 63% më e ulët se një vit më parë. Autoritetet e sigurisë në BE paralajmërojnë megjithatë se emigrantët po gjejnë rrugë të reja për të hyrë ilegalisht në vendet e bllokut europian. Kështu, është vënë re një rritje e ndjeshme e kërkesave për azil në aeroportin e Madridit, Barajas.”
Duket shumë të rinj atje prenotojnë bileta nga qyteti maroken Kasablanca për në Amerikën Jugore dhe e përdorin tranzitin në Madrid për të “grisur pasaportat dhe për të kërkuar azil.”
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/