Autoritetet britanike kanë nisur këtë të mërkurë një hetim për vdekjen e papritur të stjuardesës shqiptare Greta Dyrmishi, e cila ndërroi jetë më 21 dhjetor të vitit të kaluar, pak pasi avioni i kompanisë “Air Albania” u ul në aeroportin Stansted të Londrës.
24-vjeçarja ishte pjesë e ekuipazhit të “Air Albania” dhe ndërroi jetë në rrethana të çuditshme, që u sqaruan nga kompania ajrore vetëm 1 javë pas ngjarjes, duke bërë me dije se kishim të bënim me një arrest kardiak.
Një gjykatë në Essex (zona ku edhe ndodhet aeroporti Stansed) dëgjoi sot ekspertët mjekësorë që trajtuan 24-vjeçaren në vendngjarje, duke thënë se Dyrmishi po udhëtonte nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, për në Essex më 21 dhjetor, kur i ra të fikët papritur.
Ndihma e parë dhe CPR iu dha në vendngjarje, por ajo fatkeqësisht ndërroi jetë. Njësia e Shërbimit të Ambulancës Lindore të Anglisë tha se dy ambulanca, një automjet i ekipit të reagimit të zonës së rrezikshme dhe ambulanca ajrore e “Essex & Herts” iu përgjigjën raporteve për një grua të sëmurë rëndë në bordin e një avioni.
Mjekja ligjore e zonës së Essex, Michelle Brown tha në gjykatë se vdekja e Gretës do t’i nënshtrohej një hetimi të plotë dhe të dokumentuar.
“Kjo femër 24-vjeçare ishte në ekuipazhin e kabinës në një fluturim nga Shqipëria dhe ndodhej në pistë kur i ra të fikët dhe iu dha ndihma e parë bazë. Dhjetë minuta më vonë ajo nuk kishte puls dhe ndaj saj u krye CPR. Mjekët e trajtuan atë dhe konfirmuan se ajo kishte vdekur. Autposia pas vdekjes zbuloi se shkaku i saj i vdekjes ishte sindroma e vdekjes së papritur të të rriturve”, u shpreh mjekja Brown.
Ajo shtoi: “Në kohën e incidentit, stjuardesa ishte në pjesën e përparme pranë dyerve të një avioni në aeroportin Stansted. Ky rast është i përshtatshëm për një hetim të dokumentuar në kohën e duhur“.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/