×

Rr. Ismail Qemali, Pallati 18, Kati 1, 1001, Tiranë, Shqipëri
“Shekulli Group”

“Muret e plasaritura shpesh janë mbushur me suva dhe bukë peshku”/ Abuzimet me rindërtimin pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, frikë se mund të ndodhë si në Turqi

Tërmeti shkatërrues në Turqi, në mesin e dhimbjes për humbjen e mijëra jetëve, e ktheu debatin në standardet e ndërtimit. P.sh. një tërmet i këtyre përmasave në Japoni nuk krijon kaq humbje jete. Pavarësisht se pas tërmetit të Izmirit të vitit 1999, Turqia kishte përafruar Eurokodet në legjislacion, me kalimin e viteve, situata doli jashtë kontrollit.

Por a është Shqipëria në të njëjtat kushte. “Zhvillimet në këto tre vite po tregojnë se dëmet që krijoi tërmeti i 26 nëntorit 2019 në njerëz dhe në objekte nuk u shërbyen enteve publike për të nxjerrë mësime, me synimin për të forcuar mbrojtjen, në rast përsëritje të fatkeqësive, përkundrazi është përkeqësuar në disa aspekte”, thotë inxhinieri i ndërtimit Erion Softa, i cili është angazhuar në ekspertizë, gjatë dhe pas fatkeqësisë.

“Ngjarja e tërmetit të madh krijoi një ingranazh të ri korrupsioni dhe spekulim procedurash me rindërtimin, të cilat mund të bëhen shkak për një katastrofë edhe më të madhe, nëse ndodh një tërmet tjetër”, – thotë ai.

Shembulli më ilustrues është rikonstruksioni i pallateve shumëkatëshe me mure e fasada të dëmtuara në Durrës, të klasifikuara në DS2 dhe DS3. Banorët i kanë riparuar në mënyrë individuale këto objekte, pasi morën kompensimin nga qeveria. Muret e plasaritura shpesh janë mbushur me suva dhe bukë peshku, pa marrë në konsideratë parametrat inxhinierikë për raste të tilla.

Cilësia e punimeve u la në ndërgjegjen e banorëve jashtë çdo mbikëqyrje profesionale. Inxhinieri Softa thotë se riparimi në kategoritë DS1, DS2 dhe DS3 duhet të ishte bërë i mbikëqyrur nga entet publike dhe ekspertët e fushës.

P.sh. një pallat 8-9-katësh në Durrës, me mure të plasaritura, do të duhej të zhvishej nga suvatë dhe shpesh nga muret, sipas nevojës. Muret mbajtëse duhet të pajiseshin me breza sizmikë, duhej përforcim në kolona sipas nevojës etj., etj., komentoi Softa.

Në muajt e parë pas tërmetit, një seri falsifikimesh u bë me kategoritë DS4 dhe DS5, që ishin dëmtime të rënda. Kjo për arsye se riparimet në këto kategori objektesh, nëse ishin ndërtuar para vitit 1990, do të bëheshin nga shteti dhe pas vitit 1990, nga kompania e ndërtimit.

Shumë ndërtues, për të shmangur përgjegjësitë dhe kostot ndërhynë, duke riklasifikuar me ekspertiza të reja kategoritë DS4 në DS3 dhe DS2, teksa bashkitë bënë një sy “qorr” për të shmangur kostot financiare nga kompensimi.

Sipas të dhënave zyrtare që bashkia Durrës vuri në dispozicion për Monitor në nëntor 2022: “Për sa u përket objekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, me nivel dëmi DS1-DS5 janë: DS1-2621; DS2-1826; DS3-1388; DS4-955; DS5-349. Si rrjedhojë, rezulton që mbi 80% e banesave të dëmtuara janë klasifikuara në nivelin e dëmit DS1-DS3, për të cilat riparimi është bërë nga vetë banorët dhe nuk është certifikuar nga asnjë institucion.

Eurokodi

Adoptimi i Eurokodit 8 (kriteri sizmik në ndërtim) në legjislacionin shqiptar mbetet ende synim tani gati tre vite nga tërmeti i Durrësit. Akademia e Shkencave, që po udhëheq procesin dhe po koordinon të gjithë punën për adoptimin e “Eurokodit 8”, që ka të bëjë me masat sizmike, ka bërë disa simpoziume, por ende nuk ka një projektligj.

Inxhinierët pohojnë se në Shqipëri, përgjithësisht ndërtohet sipas Eurokodit, por kjo është më shumë në ndërgjegjen e ndërtuesit dhe inxhinierit zbatues.

“Ne kemi disa vite që kemi përdorur Eurokodin, pavarësisht se shteti nuk ka arritur t’i përfshijë në legjislacion” thotë Agim Serani, inxhinier dhe profesor në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Z. Serani tha se, përgjithësisht, nuk ka interes për miratimin e Eurokodeve, pasi ato rrisin kostot.

Inxhinieri Softa thotë se në disa drejtime që mund të përmirësoheshin dhe që nuk kërkonin kosto, janë përkeqësuar më tej. P.sh. në Tiranë prej ndërtimeve të shumta dhe me kate të larta janë rritur vështirësitë për evakuim të popullatës. Ai tha se, në Tiranë nuk ka hapësira për evakuimin e popullsisë dhe në një shumicë të madhe të zonave brenda Unazës nuk mund të hyjnë as zjarrfikësit.

Pallatet e mëdha me 30 e 40 kate buzë rrugëve dhe trotuareve ku kalojnë njerëzit dhe mjetet janë një rrezik jo vetëm nga tërmetet e mundshme, por edhe nga incidente më të vogla.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ende ka kapacitete shumë të kufizuara materiale dhe burime të pamjaftueshme financiare për të përballuar ngjarjet e fatkeqësive, si në vlera monetare dhe burime njerëzore, raporton Ministria e Mbrojtjes.

Strategjia Kombëtare 2023-2030 për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore parashikon gjithsej 9 prioritete strategjike dhe masa ndaj tërmetit. Këto prioritete, që ndiqen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Instituti i Gjeoshkencave, kanë kosto rreth 25,6 milionë euro, por deri tani, mungojnë 21 milionë euro.

Inxhinieri Softa thotë se, qeveria e ka sanksionuar me vendim inspektimin e banesave mbi 50-vjeçare, mirëpo ky proces nuk ka vijuar konkretisht në terren, pasi ka kosto dhe kërkon shumë burime njerëzore.

Inxhinierët pohojnë se nga mënyra se si është bërë rindërtimi në zonat e dëmtuara dhe si po ndërtohet në qytetet e mëdha të vendit, një tërmet me magnitudë mbi 6 do të sillte dëme të mëdha në njerëz.

Planifikimet urbane nuk po bëhen në përputhje sizmike

Entet publike po tregohen indiferentë pas tërmetit të 2019-s, për disa drejtime që nuk kërkohen fonde shtesë dhe burime njerëzore, – thotë inxhinier Softa.

“Nuk është e tolerueshme që në buzë të një rruge kryesore urbane mbi trotuarin e kalimtarëve të ndërtohen objekte mbi 30 kate, pasi siguria e njerëzve që kalojnë ngjitur mund të dëmtohet edhe nga incidente më të vogla. Densiteti i lartë në ndërtimet e reja në Tiranë dhe ndërtesat shumëkatëshe në bregdet po tregojnë se planifikimi urban me lejet e ndërtimit nuk po merr në konsideratë anën sizmike”, – shtoi ai.

Softa thotë se, natyrisht mund të ndërtohen banesa shumëkatëshe në kryeqytet, por ato duhet që të marrin në konsideratë mbrojtjen dhe evakuimin e banorëve në kushtet e një fatkeqësie, pa interpretuar anën teknike të objektit. Ai tha se, në Tiranë mungojnë hapësirat edhe për të ngritur çadrat në rast tërmeti. Bashkitë në qarqet bregdetare po japin leje në zona jo të sigurta në bregdet.

P.sh., vitet e fundit një kënetë në qytetin e Shëngjinit, në Lezhë, është mbushur me pallate shumëkatëshe për shtëpi banimi dhe hotele nga kërkesa e lartë për turizëm në këtë zonë.

Një banor i zonës, sizmolog në pension, tha se në këtë zonë nuk lejohej të ndërtohej më parë, duke shtuar se edhe në Lezhë kishte kufizim për ndërtesat mbi katër kate.

Së paku në Tiranë, tërmeti i 26 nëntorit 2019, tregoi se ndërtesat e vjetra mbi 50-vjeçare që ishin klasifikuar si të rrezikshme i mbijetuan goditjes më mirë se pallatet e reja, të cilat pësuan dëmtime më të mëdha.

Boshllëqet për mbrojtjen sizmike që u zmadhuan pas tërmetit në 2019-n

Tërmeti i vitit 2019 nxori një seri boshllëqesh në përballimin e një fatkeqësie sizmike. Pas disa dekadash qetësie, strukturat shtetërore u gjetën tërësisht të papërgatitura në të gjitha aspektet. Ministria e Mbrojtjes nxori për konsultim publik vjeshtën e vitit të kaluar Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023-2030, në të cilën renditi boshllëqet që u zbuluan nga tërmeti i vitit 2019, të cilat duket se janë thelluar më tej.

Dikasteri i Mbrojtjes që ka në mbikëqyrje Agjencinë e Mbrojtjes Civile vlerësoi se faktorët kryesorë të rrezikut sizmik në Shqipëri përfshijnë infrastrukturën e dobët dhe ndërtimet e paligjshme dhe/ose të papërgjegjshme të ndërtesave, të cilat shpesh përfshijnë mosrespektimin e kritereve të sigurisë së vetë ndërtimit dhe vendosjen e ndërtesave në zona me rrezik të lartë sizmik siç është ish-këneta e Durrësit, ku një tërmet shkakton shembjen e ndërtesave.

Përveç kësaj, ekziston një nivel i ulët i sigurimit të pasurive të paluajtshme dhe aftësisë së popullsisë së varfër ekonomikisht (veçanërisht rurale) për t’u rimëkëmbur nga pasojat e tërmeteve.

Për më tepër, në Shqipëri ka 362 diga më të larta se 15 metra, me zona të populluara poshtë tyre. Ato janë relativisht të vjetra, veçanërisht digat në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo pushtetit vendor, të cilat përbëjnë rreth 90% të digave dhe për rrjedhojë, më të cenueshme ndaj aktivitetit sizmik. Gjithashtu, kërkohet edhe ndërtimi i digave të reja, disa prej të cilave në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut sizmik nga pikëpamja gjeologjike.

Një histori e gjatë tërmetesh në Shqipëri, jo vetëm që ka nisur zhvendosjen e popullsisë nga zonat e goditura nga një tërmet, por ka ndikuar ndjeshëm edhe në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Për shembull, tërmeti i vitit 1851 preku qytetin historik të Beratit në një mënyrë që tipologjia e ndërtesave dy-trekatëshe me muraturë guri ndryshoi në ndërtesa me muraturë të përzier, ku për lehtësi dhe shpejtësi, katet e dyta u ndërtuan si një strukturë druri.

Aktualisht mbi 2220 pasuri kulturore dhe mbi 210 qendra historike, zona të mbrojtura dhe zona arkeologjike të listuara në regjistrin kombëtar të trashëgimisë kulturore konsiderohen të prekshme nga tërmetet për shkak të një sërë faktorësh, si vjetërsia e ndërtesave, kushtet e dobëta teknike të ndërtimit dhe projektimit dhe mungesa e mirëmbajtjes.

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) është institucioni këshillimor teknik dhe shkencor i shtetit, që ushtron aktivitete në fushën e shkencave të tokës në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ka një bazë të dhënash të fortë në lidhje me veprimtarinë e rreziqeve të ndryshme natyrore, përfshirë hartat e rreziqeve gjeologjike. SHGJSH luan rol kritik në parandalimin e fatkeqësive, por edhe në eliminimin e pasojave.

Departamenti i Sizmologjisë së IGJEO (UPT) është e vetmja njësi operative dhe shkencore në Shqipëri që mbulon monitorimin e vazhdueshëm të aktivitetit sizmik në vend. Qendra Kombëtare e Monitorimit të Aktivitetit Sizmik ka detyrë parësore monitorimin e pandërprerë 24 orë në 24, të aktivitetit sizmologjik brenda territorit të Shqipërisë dhe rreth saj.

Në kuadër të emergjencave civile, kjo qendër mundëson informim thuajse në kohë reale të strukturave përkatëse operacionale mbi situata të emergjencave sizmike.

Për të përmbushur këtë detyrë parësore me një rëndësi të madhe për vendin, kjo qendër disponon dhe operon Rrjetin Sizmologjik Shqiptar, pjesë e të cilit janë: rrjeti i lëkundjeve të dobëta sizmike ose rrjeti sizmografik (AWMN); – rrjeti i lëkundjeve të forta ose akselerografik (ASMN); – rrjeti gjeodezik në ndihmë të studimit të karakteristikave sizmotektonike të Shqipërisë i përbërë nga disa stacione permanente regjistrimi (GPS). Stacionet e Përhershme (AlbGNSS).

Raporti i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes evidenton se ka mangësi financiare, për studime të thelluara gjeologjike-inxhinierike të tërmeteve, të cilat reflektohen edhe në mungesën e pajisjeve të modernizuara (sizmografë) për matjen e energjisë së tërmeteve dhe përcaktimin e vendndodhjes së epiqendrave.

Për më tepër, është perceptuar një mungesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar për përparimin e sizmologjisë, si dhe përpjekje të fokusuara në parandalimin e humbjeve të jetëve.

Boshllëku kryesor në sistemin shqiptar të qeverisjes do të ishte mungesa e strategjisë për zvogëlimin e rrezikut nga tërmetet, si dhe ristrukturimi dhe financat organizative të lidhura ngushtë me të. Ka kapacitete të kufizuara si për financat, edhe për personelin e administratës vendore në trajtimin e rreziqeve dhe pasojave të tërmeteve.

Kur bëhet fjalë për parandalimin e fatkeqësive, ekziston ende mosndëshkimi për individët dhe personat juridikë që ndërtojnë pa leje në toka ku ndërtimi është i ndaluar me ligj, ose injorojnë masat e ndërtimit rezistente ndaj tërmeteve.

Për më tepër, ndërtesat (përfshirë ato historike dhe veprat e artit) dhe infrastruktura e dëmtuar më parë nga tërmetet ende nuk kanë përforcime strukturore për t’u bërë ballë tërmeteve të ardhshme dhe ka mangësi kur bëhet fjalë për standardet e rindërtimit.

Në rast tërmeti për mungesë fondesh do të ketë sfida lidhur me vlerësimin e ndërtesave dhe rikonstruksionin e godinave të vlerësuara nga autoriteti përkatës.

Gjithashtu, ende nuk janë konsoliduar njësitë organizative të mbrojtjes civile në administratën qendrore dhe strukturat e planifikimit dhe MC nëpër bashki, gjë që me shumë mundësi do të çojë në vonesa në përgjigjen ndaj tërmeteve dhe dëmtime dhe humbje më të mëdha. Së fundmi, nivelet e vetëdijes dhe gatishmërisë ndaj tërmeteve të popullatës së përgjithshme janë të ulëta.

Në komunikim me qeverinë dhe institucionet përkatëse shtetërore, janë evidentuar masa të shumta të nevojshme për rritjen e aftësisë ripërtëritëse kombëtare ndaj tërmeteve, disa prej të cilave janë:

Krijimi/përmirësimi i dokumenteve strategjike që adresojnë rrezikun e tërmeteve në çdo bashki;

– Rritja e numrit të ekspertëve të fushës në administratën vendore;

– Përditësimi dhe zbatimi i hartave dhe Kodeve të Rrezikut Sizmik për Projektimin e Ndërtesave Rezistente ndaj Tërmeteve në përputhje me Eurokodin;

– Kryerja e vlerësimeve sizmike të digave, shkollave, spitaleve dhe institucioneve të tjera që ushtrojnë funksione kolektive, godinave të Ministrive dhe institucioneve përbërës të Komisionit Teknik Këshillimor, si dhe objekteve të tjera informale;

– Pushteti qendror dhe vendor duhet të sigurojnë që rezultatet e studimeve të SHGJSH të merren parasysh në planifikimin urban dhe menaxhimin e territorit të bashkive, në mënyrë që të mos jepen leje ndërtimi në zona me ekspozim të lartë ndaj efekteve të tërmeteve;

– Rritja e shkallës së përgjegjësisë vendimmarrëse lidhur me menaxhimin e territorit dhe plotësimi i kuadrit ligjor të nevojshëm lidhur me punimet e ndërtimit dhe aspektet mjedisore që çojnë në ndryshimin e ekuilibrit natyror të territorit;

– Dënimi i personave dhe personave juridikë që ndërtojnë objekte pa leje ose nuk respektojnë masat e sigurisë në ndërtim;

– Përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit të monitorimit sizmik;

– Bashkëpunimi për vendet fqinje që përjetojnë aktivitet të ngjashëm sizmik si Shqipëria;

– Konsolidimi i stafit të Mbrojtjes Civile në administratën qendrore dhe lokale;

– Ngritja e kapaciteteve të reaguesve të parë dhe bashkëpunimi i tyre me AKMC-në dhe organet e tjera qeveritare dhe joqeveritare;

– Koordinimi i programeve/strategjive për trajtimin e pasojave të tërmeteve për të minimizuar rreziqet dhe kostot përkatëse të rimëkëmbjes;

– Përfshirja e informacionit bazë për tërmetet në kurrikulat shkollore.

Shqipëria karakterizohet nga veprimtaria e mikrotërmeteve intensive me madhësi të vogël dhe mesatare. Shqipëria është një vend që ka përjetuar ngjarje të rëndësishme dhe të rënda sizmike, me 10 tërmete me magnitudë ≥ 6.0 Ms për periudhën 1919 deri më sot, brenda territorit të vendit.

Në Shqipëri ka tri zona sizmogjenike gjatësore (joniane‐adriatike, Shkodër‐Mat‐Bilisht dhe Drini [Peshkopi‐Korçë]) dhe tri tërthore (Shkodër‐Pejë, Lushnjë‐Elbasan‐Dibër dhe Vlorë‐Tepelenë). /Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

gif

Berisha thirrje qytetarëve: Të gjithë marshim drejt Tiranës! Nuk do të pajtohemi kurrë me diktaturën që riktheu farsën elektorale

Berisha thirrje qytetarëve: Të gjithë marshim drejt Tiranës! Nuk do të pajtohemi kurrë me diktaturën që riktheu farsën elektorale

Publikuar më 05.10.2024
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka barë sërish t...

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka barë sërish thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e thirrur nga opozita të më 7 tetor në Tiranë. Në tubimin në Rrugën e Shpresës, Berisha u shpreh se PD në misionin e saj të rikthimit të votës së lirë, të rikthimit të Shqipërisë në një vend të […]

Lexo më shumë

Vlora ‘zgjohet’ nën ujë, 33 familjet e evakuuara kalojnë natën në konvikt! Dëme të mëdha në banesa e biznese, dherat bllokojnë edhe bajpasin

Vlora ‘zgjohet’ nën ujë, 33 familjet e evakuuara kalojnë natën në konvikt! Dëme të mëdha në banesa e biznese, dherat bllokojnë edhe bajpasin

Publikuar më 05.10.2024
Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë, pas stuhisë. Situ...

Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë, pas stuhisë. Situata më alarmante ishte në qarkun e Vlorës ku reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha. 33 familjet e evakuuara kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt. Bëhet fjalë për të paktën 55 persona në total nga 33 […]

Lexo më shumë

U arrestua në Norvegji për 150 kg kokainë, Gjykata e Sarandës shpall në kërkim zhytësin profesionist për vdekjen e 29-vjeçares britanike

U arrestua në Norvegji për 150 kg kokainë, Gjykata e Sarandës shpall në kërkim zhytësin profesionist për vdekjen e 29-vjeçares britanike

Publikuar më 05.10.2024
Gjykata e Sarandës ka marrë vendim ditën e djeshme për të de...

Gjykata e Sarandës ka marrë vendim ditën e djeshme për të deklaruar të ikur 47-vjeçarin Saimir Kushova, një zhytës profesionist i cili prej më shumë se 1 viti e gjysmë ndodhet i burgosur në Norvegji për trafik droge por në Sarandë po hetohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” pas vdekjes së një […]

Lexo më shumë

Përfshihet nga flakët azili privat në Tiranë, 17 të moshuar të lënduar

Përfshihet nga flakët azili privat në Tiranë, 17 të moshuar të lënduar

Publikuar më 05.10.2024
Një azil privat në kryeqytet është përfshirë nga flakët gjat...

Një azil privat në kryeqytet është përfshirë nga flakët gjatë natës. Disa të moshuar të cilët kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Paraprakisht dyshohet për 17 persona të lënduar. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e detajeve të ngjarjes. Azil privat ndodhet në […]

Lexo më shumë

Tarifa deri në 45 për qind, çfarë pritet të ndodhë pas hetimeve të Bashkimit Evropian ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë?

Tarifa deri në 45 për qind, çfarë pritet të ndodhë pas hetimeve të Bashkimit Evropian ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë?

Publikuar më 05.10.2024
Komisioni Evropian njoftoi të premten se duke filluar nga fu...

Komisioni Evropian njoftoi të premten se duke filluar nga fundi i muajit tetor do të zbatojë tarifa ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë pas një votimi që ndau shtetet anëtare të bllokut në dysh. Komisioni vendosi tarifa që shkojnë nga 7.8 për qind për makinat e markës Tesla, deri në 35.3 për qind për […]

Lexo më shumë

“Lonely Planet”: Vizitoni Shqipërinë dhe përjetoni një copëz të parajsës

“Lonely Planet”: Vizitoni Shqipërinë dhe përjetoni një copëz të parajsës

Publikuar më 05.10.2024
Ju mund të jeni duke planifikuar pushimet verore të vitit të...

Ju mund të jeni duke planifikuar pushimet verore të vitit të ardhshëm. Ndoshta po mendoni për vende si Greqia, Italia dhe Kroacia – por do të preferonit më pak turma vizitorësh dhe çmime më të përballueshme. Ne ju rekomandojmë të vizitoni fqinjët e tyre të bukur, Shqipërinë dhe Malin e Zi, sipas një artikulli të […]

Lexo më shumë

Ekzekutimi i kreut të Hezbollahut, publikohen pamjet e sulmit izraelit në selinë nëntokësore të Nasrallah (VIDEO)

Ekzekutimi i kreut të Hezbollahut, publikohen pamjet e sulmit izraelit në selinë nëntokësore të Nasrallah (VIDEO)

Publikuar më 04.10.2024
Publikohen pamjet nga sulmi izraelit në selinë nëntokësore t...

Publikohen pamjet nga sulmi izraelit në selinë nëntokësore të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në Liban. Vdekja e Nasrallah ka rritur përshkallëzimet e luftës në Lindjen e Mesme, ku më datë 1 tetor, Irani sulmoi me rreth 200 raketa Izraelin. Sulmi ndaj ish-kreut të Hezbollahut u zhvillua në Bejrutin jugor dhe kishte në shënjestër një […]

Lexo më shumë

Vlora në kolaps pas reshjeve të dendura, uji vërshon nga të gjitha anët në banesa dhe biznese, probleme edhe në qytete të tjera (VIDEO)

Vlora në kolaps pas reshjeve të dendura, uji vërshon nga të gjitha anët në banesa dhe biznese, probleme edhe në qytete të tjera (VIDEO)

Publikuar më 04.10.2024
Moti i keq i shoqëruar me reshje të intensitetit të pazakont...

Moti i keq i shoqëruar me reshje të intensitetit të pazakontë ka shkaktuar probleme të shumta në disa zona të vendit, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas një njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes, situata në Vlorë është rënduar ndjeshëm për shkak të prurjeve të mëdha dhe problemeve në stacionet e pompimit. […]

Lexo më shumë
car rental tirana real estate saranda