
Familjarë, miq të ngushtë dhe bashkëlojtarë nga Liverpool dhe kombëtarja portugeze janë mbledhur në Gondomar, Portugali, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotës dhe vëllait të tij André Silva, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik automobilistik të enjten.
Ceremonia mortore u mbajt në kishën Igreja Matriz de Gondomar, ndërsa një ditë më parë u zhvillua homazhi dhe pritja në Capela da Ressurreição, ku qindra qytetarë u rreshtuan në radhë për të shprehur respektin e tyre.

Diogo Jota, 28 vjeç, dhe vëllai i tij André, 25 vjeç, humbën jetën në një aksident tragjik me makinë në provincën Zamora të Spanjës, teksa ishin rrugës për në portin e Santander për të kapur një traget drejt Britanisë. Automjeti i tyre Lamborghini i gjelbër, me vlerë mbi 210,000 paund, dyshohet se pësoi një defekt në gomë, duke përfunduar në flakë.
Jota kishte zgjedhur të mos udhëtonte me avion pas një operacioni në mushkëri, duke marrë rrugën tokësore drejt Anglisë.
Mes të pranishmëve në funeral ishin Virgil van Dijk dhe Andy Robertson, të cilët vendosën kurora me numrat 20 dhe 30 – numrat që mbanin Diogo dhe André. Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ishte gjithashtu i pranishëm, bashkë me yje si Joe Gomez, Darwin Núñez, Alexis Mac Allister, Curtis Jones, Wataru Endo, Conor Bradley dhe Federico Chiesa.
Nga Portugalia erdhën yjet e kombëtares, përfshirë Bernardo Silva, Rúben Dias dhe Diogo Dalot, të cilët i shprehën ngushëllimet familjes në një atmosferë të mbushur me dhimbje.
Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, Kryeministri Luís Montenegro dhe menaxheri i Jotës, të cilët i qëndruan pranë familjes në këtë moment të vështirë.
Qindra qytetarë të Gondomarit, qyteti ku lindi Jota, ishin rreshtuar në radhë që nga ora 16:00 e së premtes për të bërë homazhe në kapelë. Pamjet e njerëzve të pikëlluar që qëndronin në radhë nën diellin e fortë treguan dashurinë dhe respektin e thellë për dy vëllezërit.
Që prej lajmit tragjik, rrjetet sociale janë përmbytur nga mesazhe ngushëllimi. Cristiano Ronaldo, ish-trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp, si dhe shumë figura të njohura të futbollit ndërkombëtar, kanë shprehur dhimbjen për humbjen e Jotës – një lojtar i dashur, por edhe një njeri i respektuar.
Dalin në pah detaje të reja mbi aksidentin që i kushtoi jetën sulmuesit të Liverpool Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, edhe ai futbollist.
Dy vëllezërit, të dy futbollistë profesionistë, po udhëtonin me një Lamborghini Huracán me qira, kur mjeti doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë në autostradën A-52, pranë zonës Cernadilla, në provincën e Zamorës.
Sipas autoriteteve spanjolle, automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë, kur gjatë një manovre parakalimi në një segment të njohur për asfaltin e dëmtuar, shpërtheu një gomë e pasme, duke bërë që makina të humbte kontrollin, të përplasej dhe më pas të përfshihej nga flakët. Mjeti i fuqishëm, që kishte rrota të pasme aktive, nuk arriti të ndalonte në kohë, ndërsa pamjet e tmerrit janë konfirmuar edhe nga ekipet hetimore të Guardia Civil.
Udhëtimi me makinë pas ndërhyrjes në mushkëri
Detajet që kanë dalë në dritë pas aksidentit e bëjnë ngjarjen edhe më dramatike. Diogo Jota i ishte nënshtruar së fundmi një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, dhe për këtë arsye mjekët i kishin ndaluar fluturimin me avion për të shmangur rreziqet që lidhen me presionin e gjakut gjatë fluturimit. Ai kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë drejt Santanderit, nga ku do të merrte tragetin e orës 16:00 për në Portsmouth të Anglisë, për të vazhduar më pas drejt Liverpoolit.
Së bashku me të ishte edhe vëllai i tij, André Silva, gjithashtu futbollist, me të cilin kishin planifikuar të ndaleshin për një natë në Benavente, një orë e gjysmë larg vendit të aksidentit. Nga atje do të udhëtonin të nesërmen drejt Anglisë, ku Jota do të rikthehej në stërvitje me ekipin e tij të Liverpoolit të martën.
Një autostradë në qendër të kritikave
Aksidenti ndodhi në një segment të njohur të autostradës A-52, që lidh Galicinë me Portugalinë, një rrugë që është kritikuar prej kohësh për gjendjen e keqe të asfaltit dhe mungesën e mirëmbajtjes. Vetëm pak ditë më parë, në të njëjtin segment, një grua u plagos rëndë dhe u desh të nxirrej me ndërhyrje speciale nga makina e saj e përplasur.
Në prill të vitit të kaluar, qytetarët dhe autoritetet lokale kishin ngritur alarmin për rrezikshmërinë e rrugës, por duket se paralajmërimet nuk kanë prodhuar asnjë reagim konkret nga autoritetet spanjolle të infrastrukturës.
Gruaja e Jotës: Nga dasma te identifikimi në morg
Gruaja e Diogo Jotës, Rute Cardoso, mbërriti të mërkurën në Institutin e Anatomisë Ligjore në Zamora për të identifikuar trupat e dy vëllezërve. Çifti ishte martuar vetëm 12 ditë më parë, në një ceremoni intime pranë familjes dhe tre fëmijëve të tyre. Ajo dhe të afërmit janë nën kujdesin e psikologëve, ndërsa klubi i Liverpoolit ka ofruar mbështetje të plotë emocionale dhe logjistike.
Liverpool FC i ka bërë një nder të jashtëzakonshëm familjes së sulmuesit të ndjerë, Diogo Jota, duke vendosur të paguajë pjesën e mbetur të kontratës së tij për dy vitet e ardhshme.
Lajmi është konfirmuar nga mediat portugeze, të cilat raportojnë se klubi anglez ka marrë vendimin për të nderuar marrëveshjen që do të përfundonte në qershor 2027 dhe për të siguruar mbështetje financiare për të afërmit e Jota-s
Sipas të dhënave nga platforma Capology, Jota kishte rreth 21,84 milionë paund bruto në kontratë për periudhën 2025–2027 (rreth 7,28 milionë paund/vit).
Diogo Jota humbi jetën në një aksident tragjik me automjet më 3 korrik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij Andre Silva
Ky hap nga Liverpool është një model sjelljeje humane në sport, duke siguruar që familja e Jota-s të ketë mbështetje të qëndrueshme mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar. Në një kohë kaq të vështirë, ky është një sinjal i fortë solidariteti që tejkalon kufijtë e fushës së futbollit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/