
Pandeli Majko, kandidati i PS në listën e hapur në qarkun e Tiranës thotë se e ka të vështirë të fitojë, por po bën gjënë e duhur.

I ftuar në News24, Majko thotë se ka mbështetjen e të gjithë komunitetit jo vetëm në Kavajë dhe Rrogozhinë, por edhe më gjerë.
“Të vështirë e kam, por po bëj gjënë e duhur. E kam të vështirë sepse jam në zonën ,më të është të qarkut, por kam solidaritetin e mjaft miqve në qarkun e Tiranës, jo vetëm në Kavajë dhe Rrogozhinës, por edhe më gjerë. Po më përkrahin komunitetit ku kam punuar”, tha Majko.
Majko thotë se është i zhgënjyer me integrimin evropian, ndërsa thotë se nuk ka pritur që Kosova të ecë kaq shpejt. Ëndrra e tij në sirtar ka qenë që të ishte deputeti i Parlamentit Evropian.
” Disa pritshmëri janë tejkaluar, Kosovën nuk e mendoja që do shkonte kaq shpejt. Për integrimin evropian jam shumë i zhgënjyer nga koha. Nëse doni ëndrrën time në sirtar ka qenë deputet në Parlamentin Evropian, Por faktin që Rama, Gonxhe e disa të tjerë njerëz që vijnë nga lëvizja e dhjetorit dhe janë në politike dhe janë majtas, kjo është një sfidë e madhe për të djathtën. Unë do doja që tek e djathta të kishim përfaqësues të mëdhenj, të industrialistëve, të bizneseve të mëdhaja. Ku janë ata sot?? Ata janë me ne. Pse janë me ne. Apo sepse i kemi korruptuar”, u shpreh Majko.
Deputeti i Partisë Socialiste dhe kandidati për Tiranën në listën e hapur të zgjedhjeve të 11 majit, Pandeli Majko, i ftuar në studion e News24 ka diskutuar mbi fushatën elektorale që po zhvillohet, duke analizuar situatën politike dhe sfidat që ka përballë PS.
Majko theksoi se opozita shqiptare është ndarë në disa fraksione dhe nuk ka më unitet, siç kishte ndodhur në vitin 2005 kur u gjet një gjuhë e përbashkët mes grupeve opozitare. Ai shtoi se, në PS nuk ka konflikte të brendshme, përveç ndonjë mosmarrëveshjeje të mundshme në lidhje me ndarjen e zonave elektorale.
Ai theksoi se për herë të parë, vota për PS, veç integrimit evropian, mund të shihet si një votë që nuk është thjesht për të majtën. “Jemi kaq afër procesit të integrimit evropian, sa shumë shpejt do ta kuptojmë që vota për PS është një votë për Shqipërinë, për integrimin dhe për të ardhmen tonë evropiane,” theksoi Majko, duke shtuar se lufta në Ukrainë ka ndryshuar rregullat e lojës dhe që Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian shumë shpejt, ndoshta brenda tre viteve.
Sa i përket opozitës, Majko u shpreh se ajo është angazhuar në një fushatë për të ruajtur atë që është e nevojshme për ta, konkretisht listën e sigurt të deputetëve. Sipas tij, opozita ka një qëndrim të qartë për drejtësinë, ku ka shpallur se do të shpërbëjë SPAK-un. “Është një doktrinë që ka përfaqësues një njeri që drejton opozitën, ‘të mitë janë të pafajshëm, të fajshëm janë ata të palës tjetër’,” tha ai.
Majko nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka kaluar në një fazë të re, ku sistemi i drejtësisë është më i pavarur dhe i pa kontrolluar nga PS, duke theksuar rëndësinë e barazisë përpara sistemit të drejtësisë.
Ai u shpreh se pas zgjedhjeve të 11 majit, opozita do të ndryshojë për qeverinë socialiste duke mos qenë PD ,por “do të përbehet nga administrata e Brukselit”, që sipas tij do të fusë qeverinë në një “këmishë force” dhe do të ndryshojë qasjen ndaj procedurave dhe legjislacionit.
“Ne jemi më të goditurit nga SPAK sepse kemi qenë në pushtet për 12 vjet, por pavarësisht goditjeve, ne e ruajmë raportin me drejtësinë dhe qytetari e di që kjo është barazi para ligjit,” përfundoi Majko.
Deputeti i Partisë Socialiste dhe kandidati për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, Pandeli Majko, ka komentuar situatën e presidentit të Partisë së Lirisë , Ilir Meta, i cili aktualisht ndodhet në burg.
Në studion e News24, Majko, i cili ka qenë koleg politik me Metën si pjesë e PS, ka ndarë mendimet e tij për këtë periudhë të kaluar dhe për largimin e Metës nga PS për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).
Ai e përshkroi Ilir Metën si dikë që “ka bërë shkollën e elefantëve”, por që, sipas tij, krijoi më pas “partinë e dhelprave”.
Megjithatë, ai theksoi se, pavarësisht diferencave mes tyre, Meta mbetet shoku i tij i rinisë dhe që e ka njohur për një kohë të gjatë.
Majko shprehu gjithashtu keqardhjen për situatën e Metës dhe theksoi se nuk do ja uronte askujt që të kalonte përmes asaj që ai ka përjetuar, madje as armikut të tij më të egër.
I pyetur nëse ka tentuar të takojë në burg Metën apo kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ai tha: “Nuk kam tentuar, jo se më mungon guximi, por mendoj se do kishte keqkuptime në korridoret e politikës”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/