
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar në platformën X pas rritjes së tarifave ndaj Shteteve të Bashkuara nga disa shtete, përfshirë Kinën, që ka shtuar me 34% tarifat e saj tregtare ndaj mallrave amerikane.
Në një mesazh të gjatë, Trump theksoi se pavarësisht kësaj, ekonomia amerikane është në pozita të forta: “Çmimet e naftës janë ulur, normat e interesit janë ulur (Rezerva Federale, e ngadaltë si gjithmonë, duhet t’i ulë më tej!), çmimet e ushqimeve janë ulur, nuk ka inflacion dhe SHBA-ja, që prej kohësh është abuzuar, po sjell miliarda dollarë në javë nga vendet abuzuese përmes tarifave që tashmë janë në fuqi.”
Trump akuzoi Kinën si “abuzuesen më të madhe” në marrëdhëniet tregtare dhe e kritikoi për shpërfillje ndaj paralajmërimeve të tij për të mos u kundërpërgjigjur. Ai përmendi se tregjet kineze janë në krizë dhe tarifat e vendosura prej saj janë “qesharake dhe të larta prej vitesh”.
Në fund të mesazhit, Trump u shpreh se fajin për këtë situatë e kanë ish-udhëheqësit amerikanë: “Liderët e së kaluarës janë për t’u fajësuar për këtë dhe shumë të tjera që i kanë ndodhur vendit tonë. MAKE AMERICA GREAT AGAIN!”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump thotë se do të vendosë tarifa shtesë ndaj Kinës, nga e marta, nëse Pekini nuk tërheq tarifat hakmarrëse prej 34% ndaj SHBA-së.
“Tarifat shtesë për Pekinin do të jenë 50%”, thotë Trump.
Kina njoftoi të premten se do të vendoste tarifa të tilla ndaj Uashingtonit pasi Shtëpia e Bardhë tha se nga 9 prilli do të vendoste taksa 34% për të gjitha mallrat nga Pekini.
“Prandaj – shkruan ai në rrjetin social Truth – nëse deri nesër, më 8 prill 2025, Kina nuk tërheq rritjen e saj prej 34% ndaj abuzimeve tregtare që kanë qenë prej kohësh në fuqi, Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Kinës tarifa shtesë prej 50%, duke filluar nga 9 prilli. Për më tepër, të gjitha bisedimet me Kinën që lidhen me takimet e kërkuara prej tyre me ne do të ndërpriten! Negociatat me vendet e tjera që kanë kërkuar takim do të nisin menjëherë.”.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ndau pikëpamjet e saj për tarifat e SHBA-së, teksa mirëpriti kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre në Bruksel.
Ajo tha se vendimi e SHBA-së “vjen me kosto të jashtëzakonshme për konsumatorët dhe bizneset amerikane”, ndërsa këmbënguli se BE-ja “është e gatshme të negociojë me Shtetet e Bashkuara”.
“Evropa është gjithmonë e gatshme për marrëveshje të mira. Kështu që ne e mbajmë atë në tryezë,” tha ajo, duke shtuar se BE “ofroi zero për zero tarifa për mallrat industriale, sepse Evropa është gjithmonë e gatshme për marrëveshje të mira.”
Por ajo shtoi se BE-ja ishte gjithashtu “e përgatitur të përgjigjet përmes kundërmasave dhe të mbrojë interesat”, pasi synonte të rriste mbrojtjen e saj kundër “efekteve indirekte të devijimit të tregtisë”.
Von der Leyen tha se ajo u angazhua me aktorët kryesorë industrialë në të gjithë bllokun për t’u konsultuar për hapat e ardhshëm.
Ajo theksoi gjithashtu se BE-ja duhet të punojë në “forcimin e tregut tonë të vetëm duke hequr qafe barrierat e mbetura” në përgjigje të ndërprerjeve të tarifave.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/