Papa Françesku ka pritur në një takim në Vatikan kreun e bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Gjatë bisedës me delegacionin bektashi të kryesuar nga kryegjyshi botëror, Ati i Shenjtë cilësoi të rëndësishme marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike dhe Komunitetit Bektashi.
Në këto kohë të vështira, të gjithë jemi të thirrur ta refuzojmë logjikën e dhunës dhe të mosmarrëveshjes, për të përqafuar atë të takimit, të miqësisë dhe të bashkëpunimit në kërkimin e së mirës së përbashkët. Në fakt, bindjet tona fetare na ndihmojnë t’i përqafojmë më qartë këto vlera themelore, tipike të humanizmit tonë të përbashkët.
Ati i Shenjtë shprehu bekimet për të gjithë popullin shqiptar, ndërsa nënvizoi rëndësinë e harmonisë mes besimeve fetare për të ndërtuar ura pajtimi.
“Jam i bindur se Komuniteti Bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe gjithë besimtarët e pranishëm në Shqipëri, mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.”
Haxhi Dede Edmod Brahimaj i foli Atit të Shenjtë gjithashtu për idenë e shtetit bektashi në Shqipëri, sipas modelit të Vatikanit. Teksa Papa Françesku e cilësoi si një nismë të bukur dhe e bekoi, Baba Mondi i dhuroi edhe shallin tradional të bektashinjve. Papa Françesku dhe kreu i bektashinjve nënshkruan së bashku Dokumentin e Abu Dabit për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën në botë.
Njoftimi i plote:
Përshëndetja e Atit të Shenjtë për anëtarët e Delegacionit të ardhur nga Shqipëria, udhëhequr nga Shenjtëria e Tij, Kryegjyshi Edmond Brahimaj
I dashur vëlla, Haxhi Baba Edmond Brahimaj,
Shkëlqesi,
të dashur miq,
i uroj me përzemërsi mirëseardhjen këtij Delegacioni të shquar, që vjen nga Shqipëria dhe, në veçanti, nga Komuniteti Bektashi, si edhe falënderoj Dikasterin për Dialogun Ndërfetar, që e bëri të mundur këtë takim. Sa herë që liderët fetarë bashkohen në frymën e respektit të ndërsjellë dhe impenjohen në favor të kulturës së takimit, përmes dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit, ripërtërihet dhe konfirmohet shpresa jonë për një botë më të mirë e më të drejtë. Sa shumë ka nevojë koha jonë për një shpresë të tillë!
Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kishës Katolike, Shqipërisë dhe Komunitetit Bektashi janë pasuri për të gjithë ne dhe kam besimin se këto lidhje do të forcohen gjithnjë e më shumë, në shërbim të vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve. Në këto kohë të vështira, të gjithë jemi të thirrur ta refuzojmë logjikën e dhunës dhe të mosmarrëveshjes, për të përqafuar atë të takimit, të miqësisë dhe të bashkëpunimit në kërkimin e së mirës së përbashkët. Në fakt, bindjet tona fetare na ndihmojnë t’i përqafojmë më qartë këto vlera themelore, tipike të humanizmit tonë të përbashkët, “duke i dhënë mundësi bashkësisë së zërave të ndryshëm të formojnë një këngë fisnike dhe harmonike” (Letra Enciklike Fratelli tutti, 283).
Në këtë drejtim, mendoj me mirënjohje çastet e shumta të takimit vëllazëror ndërmjet Komunitetit Bektashi dhe Kishës Katolike, si Lutja për Paqen në Ballkan, në vitin 1993 dhe Dita Botërore e Lutjes për Paqen në Asizi, më 2011. Përurimi i Tempullit të Bektashinjve në Tiranë, në vitin 2015, ishte një moment veçanërisht i frytshëm afrimi dhe miqësie.
Jam i bindur se Komuniteti Bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe gjithë besimtarët e pranishëm në Shqipëri, mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok, jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Pavarësisht nga sfidat e së tashmes, dialogu ndërfetar ka një rol unik në ndërtimin e një ardhmërie në pajtim, drejtësi dhe paqe, që popujt e botës e, veçanërisht të rinjtë, e dëshirojnë me zjarr.
Të dashur miq, ju siguroj lutjet dhe bekimin tim për punën tuaj të rëndësishme dhe për gjithë popullin e dashur shqiptar. E ju kërkoj edhe juve favorin që të luteni për mua. Faleminderit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/