
SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur deputetin e PS-së Plarent Ndreca. Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.
SPAK deklaron se ditën e sotme të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë”, deklaron SPAK.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/