Moti i keq i shoqëruar me reshje të intensitetit të pazakontë ka shkaktuar probleme të shumta në disa zona të vendit, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas një njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes, situata në Vlorë është rënduar ndjeshëm për shkak të prurjeve të mëdha dhe problemeve në stacionet e pompimit.
Në përgjigje të kërkesës për ndihmë nga pushteti vendor, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për të ofruar mbështetje të menjëhershme. Në këtë kuadër, janë dërguar në Vlorë dy moto varka, dy ekipe të pajisura me motopompa, tetë mjete të kalueshmërisë së lartë dhe tridhjetë forca ushtarake për të ndihmuar në menaxhimin e situatës emergjente.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon gjithashtu strukturat operacionale në nivel vendor dhe qendror, duke angazhuar edhe gjashtë forca dhe dy mjete nga Reparti i Këmbësorisë së Jugut për të përballuar situatën e krijuar.
“Ne mbetemi në monitorim të situatës gjatë orëve në vazhdim,” theksoi Ministria e Mbrojtjes në njoftimin e saj, duke bërë thirrje për kujdes nga qytetarët dhe gatishmëri nga autoritetet lokale.Reshjet e shiut përfshinë sot pjesën më të madhe të Shqipërisë, ndërsa një situatë jashtëzakonisht e vështirë u regjistrua në qytetin e Vlorës.
Uji ka vërshuar nga të gjitha drejtimet duke hyrë në banesat e qytetarëve, si edhe në bizneset e qytetit.
Qarkullimi u vështirësua në pjesë të caktuara të qytetit, ndërsa në brendësi të lagjeve të qytetit bregdetar situate ishte më e rëndë.
Për këmbësorët rrugët kanë qenë të pakalueshme, ndërsa vështirësi nuk kanë munguar edhe për automjetet.
Në përgjigje të situatës alarmante, Ministria e Mbrojtjes njoftoi mobilizimin e Forcave të Armatosura dhe Mbrojtjes Civile.
Nga ana tjetër kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha tha se janë evakuuar 30 familje dhe se janë vënë në dispozicion konviktet e shkollave mjekësore, për personat që kanë nevojë.
Po ashtu, ai ka apeluar që qytetarët të kontaktojnë numrat e emergjencës pasi situata vijon të mbetet kritike.
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin Gjanica, si dhe një ndotje alarmante të shoqëruar me një aromë të rëndë.
Sipas informacionit të raportuar, çdo herë që ka reshje me intensitet të lartë, disa kompani nafte shfrytëzojnë këtë moment për të derdhur hidrokarbure në lumin që kalon përmes qytetit.
Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot pjesën më të madhe të Shqipërisë, ndërsa edhe në qytetin e Fierit pati problematika jo të pakta.
Pogradeci dhe fshatrat përreth mbetën në errësirë totale për disa orë këtë mbrëmje, për shkak se ka pasur shkëputje të energjisë nga linja e tensionit të lartë 110 KV e OST.
Pas disa orësh ndërprerje të energjisë, ajo është rikthyer sërish.
Shkak për mungesën e energjisë mund të jenë bërë kushtet e vështira atmosferike ose rrufetë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/