Që prej orës 10.00 të paradites së sotme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, po mbahen homazhet për ish-deputetin e ndjerë demokrat Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 44-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak.
Të parët që mbajtën homazhe pranë arkëmortit të pajetë ishin përfaqësuesit e grupit parlamentar demokrat.
Homazheve iu bashkuan personalitete, drejtues institucionesh dhe diplomatë të ndryshëm, krahas kolegëve dhe qytetarëve të shumtë.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali u përkul para arkëmortit, ashtu sikundër ministra të ndryshëm pas saj.
Lulzim Basha ishte gjithashtu i pranishëm në homazhe, për t’i bërë nderimet e fundit kolegut të ndjerë.
Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi tha për mediat Gerti ishte dëshmi se si duhet të jetë një politikan, një familjar dhe se si duhet një njeri të ndërtojë karrierën e tij, angazhimin publik, komunikimin publik. “Dhimbja jonë është shumë e madhe. Gerti udhëton sot drejt parajsës, por lë mungesë së madhe për familjen e tij dhe miqtë e tij. Mungesën për imponimin që sillte me zërin e tij në politikën shqiptare. Sjell shembullin për të rinjtë që duhet të ndërtojnë një karrierë politike. Nuk e besoj ende, të gjithë kolegët nuk e besojnë. Ai do mbetet në kujtimet tona. Zoti na fut në mendime se pse Gerti duhet të ikte kaq i ri. Detyra jonë është ta nderojmë dhe respektojmë dhe ta mbajmë gjithmonë të gjallë kujtimin e tij”, tha Boçi.
Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024.
Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike, njoftoi selia blu.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani, u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë në radhët e PD, ndërsa fitoi një mandat të dytë edhe në vitin 2013.
Bogdani dje ndodhej në një konferencë në një hotel në Tiranë me dy miq të tij amerikanë, por papritur nuk është ndjerë mirë.
Ai është larguar për në tualet, por vonesa ka shkaktuar shqetësim te dy miqtë e tij, të cilët kur kanë shkuar e kanë gjetur pa ndjenja. Ata kanë lajmëruar menjëherë urgjencën, e cila e ka dërguar në QSUT, por në gjendje shumë kritike. Mjekët u përpoqën për rreth një orë që ta shpëtonin 44-vjeçarin përmes aparaturave, por ai nuk ia doli dot.
Mësohet se ai nuk ka pasur sëmundje apo probleme kardiovaskulare, ndërsa pritet autopsia që do të nxjerrë shkakun se pse ka pësuar arrest kardiak. Diagnoza momentale është arrest kardiak respirator. Ish-deputeti ka pasur tre ditë më parë temperaturë, por nuk dihet nëse kjo ka ndikuar.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/