Partia Socialiste mëngjesin e sotëm (8 korrik) ka mbledhur Kryesine, ku ndër të tjera ka vendosur edhe kandidatin për zgjedhjet në Himarë, që do të mbahen në datën 4 gusht.
Mazhoranca ka zgjedhur kandidat për të garuar në zgjedhjet e pjesshme prefektin e qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo.
Kujtojmë që presidenti njoftoi se kjo datë është cilësuar alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore bazuar edhe tek rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni veror për bashkinë e Himarës.
Aktualisht kjo bashki drejtohet nga kryetari i Komanduar Arqile Bollano, pas dorëheqjes së Blerina Balës në 5 Qershor. Më herët në detyrë ka qenë Jorgo Goro, i cili u arrestua me urdhër të SPAK në 23 Mars.
Po ashtu në këtë mbledhje, është vendosur që të shtyhet për në datën 27 korrik Kongresi, i cili ishte parashikuar të mbahej më 20 korrik.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në një prononcim për mediat u shpreh sot se kandidatura e Tavos “vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone dhe i asaj krahine”.
“Kryesia e mbledhur ditën e sotme pati dy diskutime. E para vendosëm në bazë të propozime që vijnë nga bashkia Himarë për kandidaturën e Vangjel Tavos si kandidatin e PS.
Po ashtu diskutuam për mbarëvajtjen e Kongresit që do të mbahet më 27 korrik. Një Kongres i cili është zgjedhor ku do të zgjedhjet Asambleja e Re kombëtare, forumet e saj më të lartë. Por do të ketë edhe diskutime për situatën e vizionit “Shqipëria 2030”.
Figura e Tavos, vjen si figurë e njohur politike, njohës i asaj zonë dhe po ashtu vjen nga disa beteja elektorale që e kanë përgatitur për të qenë përfaqësuese e atij komuniteti.
4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale dhe ne shkojmë për të pasur një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në bashkinë e Himarës” tha Klosi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/