
Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë në arrest shtëpie në ngarkim të noteres Rezarta Koçi, e dënuar nga Gjykata e Shkallës së parë për akuzat e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas njoftimit të gjykatës së Apelit, është pranuar kërkesa e avokatit të noteres, e cila u shpall fajtore në shkallën e parë, ndërsa tashmë çështja është në apel. Gjykata e Apelit sqaron se Koçit i ka përfunduar afati i paraburgimit.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me gjyqtare Lutfije Celami, dhe anëtarë Miranda Andoni dhe Qemal Zaimi, vendosi pranimin pranimin e kërkesës me konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurën Rezarta Koçi, i urdhëruar gjatë hetimeve paraprake.
Apeli urdhëroi shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg”dhe caktoi masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, me mbikëqyrje policore.
E pandehura urdhërohet që gjatë qëndrimit nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi” të mos largohet për asnjë arsye nga banesa e saj si dhe të mos komunikojë me çfarëdolloj mjeti komunikimi me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët ajo bashkëjeton.
Rezarta Koçi u arrestua në Shkurt 2022 në Tiranë dhe që prej atëherë ka qenë nën masën e arrestit me burg.
Hetimet për të nisën pas 4 kallëzimeve që ishin bërë nga qytetarë te ndryshëm ndaj noteres, por u u arrestua vetëm për një prej tyre, ku ishte kallëzuar për mashtrim në Mars 2021.
Në emisionin Stop në Tv Klan ishte publikuar një denoncim për noteren Rezarta Koçi më 26 janar, e cila ka marrë paratë që ishin kaluar në llogari për shitjen e një shtëpie. Qytetarja Drita Sula tregon se në Shkurt 2021 ia shiti shtëpinë e saj në Yzberisht shtetasit Ervin Qiriaqi. Kontrata e shit-blerjes u bë tek noterja Rezarta Koçi. Shuma prej 72 milionë Lekësh që u shit shtëpia kaloi tek llogaria e noteres, sipas ligjit, dhe më pas paratë duhet të kalonin në llogarinë bankare të shitësi brenda 24 orësh. Por kjo nuk ndodhi dhe Sula e denoncoi noteren Rezarta Koçi se i ka vjedhur 72 milionë lekë.
Nga hetimet ka rezultuar se noterja, gjatë kohës që përgatiste dokumentacionin, nuk hapte llogari të ngrirë bankare për transferimin e parave nga pala blerëse tek ajo shitëse, por në kundërshtim me ligjin përdorte llogarinë e saj personale.
Mashtrimet e Koçit u zbuluan nga qytetarët që ishin pala shitëse, pasi nuk merrnin asnjë shumë lekësh edhe pse certifikata e shtëpisë apo biznesit që shisnin kalonte në emër të palës blerëse.
Sipas hetimeve, klientët e saj Koçi i mashtronte duke i thënë se do ti kalonte nga dita në ditë. Referuar kallëzimeve numri i qytetarëve te mashtruar nga noteria është mjaft i lartë, ku shumat që ajo ka përvetësuar kapin vlera te majme.
Disa muaj para arrestimit, në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, asaj iu vendos një sasi tritoli tek makina e saj “Range Rover” që ishte e parkuar, poshtë baneses.
Në makinën luksoze të llojit “Range Rover”, tip “Evoque” me targa ‘AA 199 YS’ në pronësi të noteres Rezarta Koçi, u vu dhe u shpërthye një sasie eksplozivi rreth orës 23:00 në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në Tiranë, mbrëmjen e 6 nëntorit. Makina ishte parkuar në rrugën ‘Osman Myterizi’ poshtë një pallati në momentin që ka shpërthyer. Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës dhe ka sjellë dëme materiale në atë zonë të mjetit, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ngjarja, nuk është zbuluar ende nëse objektivi ka qenë pronarja e makinës, noterja Koçi apo personat që kanë lënë pakon, kanë dashur të përcjellin vetëm një ‘mesazh kërcënues’. Koçi nuk e mbante më statusin e noteres, pasi ishte përjashtuar përgjithmonë nga sistemi, pas një hetimi të nisur me urdhër të ish-ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/