
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se dëshiron një “përfundim të vërtetë” të problemit bërthamor me Iranin dhe sinjalizoi se mund të dërgojë zyrtarë të lartë amerikanë për të zhvilluar takime me Republikën Islamike, teksa lufta ajrore midis Izraelit dhe Iranit vazhdon për ditën e pestë radhazi.
Komentet ai i bëri gjatë nisjes së tij pas mesnate nga Kanadaja, ku mori pjesë në samitin e vendeve të Grupit të Shtatë (G7), sipas një raportimi të një gazetari të CBS, i publikuar në platformën X. Trump parashikoi se Izraeli nuk do të zbusë sulmet e tij ndaj Iranit. “Do ta shihni për dy ditët e ardhshme. Do ta shihni. Askush nuk është ndalur deri tani,” citohet Trump të ketë thënë nga Air Force One.
Në lidhje me mundësinë e një takimi me Iranin, Trump tha: “Ndoshta po”, duke përmendur emisarin amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Uitkoff, ose zëvendëspresidentin JD Vance si të mundshëm për t’u dërguar në një takim me zyrtarë iranianë.
Sipas një raporti të brendshëm të ‘Politico’, Trump po kërkon një “dorëzim të plotë” nga Irani. Administrata amerikane ka deklaruar se Trump ende ka synim arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, edhe pse konfrontimi ushtarak është në zhvillim e sipër.
Liderët botërorë të mbledhur në samitin e G7 bënë thirrje për ulje tensionesh në përballjen më të rëndë historike mes dy rivalëve rajonalë, duke theksuar se Irani është një burim destabiliteti dhe se nuk duhet të lejohet kurrë të zotërojë armë bërthamore, ndërsa riafirmuan të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Trump, i cili e la samitin përpara kohe për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, tha se largimi i tij nuk kishte të bënte me punën për një marrëveshje mes Izraelit dhe Iranit, siç kishte sugjeruar presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha se SHBA kishte ndërmarrë një iniciativë për armëpushim.
“Gabim! Ai s’ka asnjë ide pse unë jam rrugës për në Uashington, por me siguri nuk ka lidhje me një armëpushim. Është diçka shumë më e madhe se kaq,” shkroi Trump të hënën mbrëma në Truth Social.
Izraeli nisi luftën ajrore me një sulm surprizë që vrau pothuajse të gjithë drejtuesit më të lartë të ushtrisë iraniane dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë të vendit. Sipas ushtrisë izraelite, ata tani kanë kontroll të hapësirës ajrore iraniane dhe synojnë të intensifikojnë fushatën ditët në vijim.
Trump ka përsëritur vazhdimisht se sulmi i Izraelit mund të përfundojë shpejt nëse Irani pranon kërkesat amerikane për kufizime të rrepta në programin e tij bërthamor. “Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË KETË NJË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin!” deklaroi Trump të hënën.
Roja Revolucionare e Iranit njoftoi të martën se një valë e re “më e fuqishme” e raketave është lëshuar së fundmi drejt Izraelit, raportoi agjencia shtetërore. Një komandant i lartë i ushtrisë iraniane tha se një valë e re dronësh do të godasë Izraelin.
Duke folur për gazetarët në bordin e Air Force One, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron një fund të vërtetë të programit bërthamor të Iranit, raporton partneri amerikan i BBC-së, CBS.
Trump tha se “nuk kishte thënë që po kërkonte një armëpushim” dhe se dëshiron që Irani të heqë dorë plotësisht nga zhvillimi i kapaciteteve bërthamore.
Ai shtoi gjithashtu se nuk mendon që Izraeli do të ngadalësojë ofensivën e tij kundër Iranit. “Do ta shihni gjatë dy ditëve të ardhshme. Do ta shihni. Askush nuk është ngadalësuar deri tani”, u shpreh ai.
Trump gjithashtu premtoi se do të “veprojë ashpër” ndaj Iranit, nëse interesat amerikane në rajon do të goditen.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/