
Të paktën 59 persona humbën jetën në orët e para të mëngjesit të së dielës, në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me qindra pjesëmarrës në një klub nate. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie për këtë tragjedi. Deri më tani janë identifikuar 35 viktima, prej të cilëve 31 nga Koçani dhe 4 nga Shtipi.
Mbi 155 persona janë shtruar në spitale, kryesisht në klinikat e Shkupit. Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se objekti ku ka ndodhur tragjedia kishte licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit të kaluar. Ai ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncert. Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë ndaluar nga policia.
Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi. Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit. Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie.

Marija Taseva
Marija Taseva, vajza 20 vjeçare e cila ishte një nga të lënduarat nga zjarri në diskotekën e Koçanit, dëshmoi se në momentin e zjarrit ajo ka rënë përtokë teksa po dilte jashtë.
“Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë përpiqeshin të shpëtonin veten. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital.
Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup.
Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha Taseva sipas medias vendase. Babai i saj thotë se nuk kanë informacion për vajzën e dytë, e cila është 25 vjeçe.

Një situatë e tensionuar mbizotëron në oborrin e spitalit të Koçanit në Maqedoninë e Veriut ku familjarët kërkojnë me çdo kusht të marrin kufomat e të afërmve të tyre që humbën jetën në aksidentin tragjik në diskotekën “Pulse”. “Alsat M” ka sjellë rrëfimin e një personi të mbijetuar pas tragjedisë.
“Ndodhi me shpejtësi. Nuk e mbaj mend si u lëndova dhe si arrita deri në spital. Kam djegie në kokë dhe nëpër duar. Asgjë nuk mbaj mend. Di vetëm se një zjarrfikës më tërhoqi dhe më tej asgjë më nuk di. Mendoj se gjithçka ndodhi rreth orës 3 e gjysmë. Gjithçka ndodhi me shpejtësi” – thotë ai.
“Të gjithë filluan të vrapojnë drejt daljes. Të gjithë shihnin si ta shpëtojnë jetën. Askush nuk ishte i vetëdijshëm, trupa të djegur. Të gjithë ishin nën stres. Motra ime ka humbur, nuk mund ta gjejmë në asnjë spital…. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe njerëzit shkelën mbi mua”, – thotë një vajzë e mbijetuar.
Qytetarët dhe të afërmit shprehen të tmerruar nga kjo fatkeqësi.
“E gjithë Maqedonia është në mërzi, jo vetëm Maqedonia, ngushëllime japin nga të gjitha shtetet. Kjo është tragjedi shumë e madhe, për Koçanin, por edhe për të gjithë rrethinën, ka pasur edhe nga Dellçeva, Vinica, nga fshatrat e Koçanit. Babai ishte tani pak më parë para spitalit, nuk kishin fëmijë për shumë vite”, – tha një familjar.
“I biri i një mikut tim punonte me sigurinë, u helmua me monoksid. Po merrte pjesë në nxjerrjen e njerëzve. Ishte e tmerrshme”, – shprehet një familjar tjetër.
Reagimet
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se objekti ku ka ndodhur tragjedia kishte licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit të kaluar.
“Bëhet fjalë për një dokument pune për një kabare, i lëshuar në mënyrë të paligjshme, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të kësaj ministrie. Ka shumë pyetje, të cilave hetimi do t’iu përgjigjet”, ka theksuar Mickoski.
“U përballa me një sistem thellësisht të korruptuar, i krijuar dhe mbajtur për dekada, pjesë e të cilit janë persona nga të gjitha partitë dhe profilet. Nëse ky sistem nuk shkatërrohet, ky shtet nuk do të ketë kurrë një të ardhme. Por, ky sistem nuk mund të rrëzohet lehtë dhe shpejt, sepse është ndërtuar për dekada, jo për muaj apo vite”, ka thënë Mickoski, duke e cilësuar këtë ngjarje tragjike si kulminacionin e një sistemi të dështuar, i cili, sipas tij, shkatërron shpresat e njerëzve.
Ai ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.
“Në ditët në vijim, do të marrim një sërë masash dhe vendimesh që do të kenë ndikim të madh në luftën për këtë vend, në emër të të gjitha viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre. Nëse ka përgjegjësi për mosveprimin në të kaluarën, do të ndërmerren hapa të përshtatshëm. Institucionet do t’i shqyrtojnë dhe hetojnë të gjitha aspektet dhe problemet që çuan në këtë tragjedi, pa favorizime për askënd. Do të hetohen mekanizmat e kontrollit dhe gjithçka që opinioni publik me të drejtë e ka identifikuar si një problem dhe sfidë për shoqërinë”, ka thënë Mickoski.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.
“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.
Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë në mbajtje policore. Toshkovski ka thënë se janë zënë edhe katër personat për të cilët është lëshuar urdhër-arrest.
Ai ka thënë se nëpër spitale ka të vdekur që duhet të identifikohen përmes autopsisë. “Me këtë rast, dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë tragjedi”, ka thënë ministri.
Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor, i cili ishte pjesë e operacionit për të kryer kontrolle në klube nate dhe biznese hotelerie në disa lokacione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut. Sipas autoriteteve, operacioni ishte planifikuar për të kontrolluar trafikimin eventual të drogave ilegale dhe prezencën e të miturve nëpër klube nate.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka thënë se të gjitha autoritetet shëndetësore janë mobilizuar edhe disa të plagosur që fillimisht janë dërguar në Shtip, tani janë duke u transportuar në spitalin e Shkupit, Shën Naum Ohridski.
“Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme. Nuk do të spekuloja sa janë në gjendje kritike, por do të shkoj te Separtamenti i Kirurgjisë për të marrë informacion të hollësishëm”, ka thënë Taravari.
Shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq është duke bërë përpiluar listën për të përcaktuar identitetet e të vdekurve.
Reagimet për incidentin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjarëve për incidentin, përmes një postimi në X – dikur Twitter – dhe ka thënë se “humbja e kaq shumë të rinjve është tragjedi përtej fjalëve”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është thellësisht i mërzitur nga lajmi për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut.
“U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre, si dhe liderëve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe gjithë shtetit në këtë periudhë të rëndë. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, ka thënë Kurti në X.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se është thellësisht e mërzitur nga lajmi për tragjedinë. “Ngushëllime të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. BE-ja ndan dhimbjen me njerëzit e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kallas në X.
Ambasdorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ka thënë se është zemërthyer pas lajmit për viktimat. “Humbja e kaq shume të rinjve në një komunitet është tragjedi e madhe. I kam ofruar ndihmë kryeministrit dhe të gjitha resurset, si dhe lutem për ata që janë në vuajtje sot”, ka thënë Aggeler përmes një postimi në X.
Edhe Ambasada amerikane në Kosovë e ka përshkruar incidentin si tragjik. Ngushëllime kanë shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuciq, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/