
Apeli i GJKKO ka shtyrë për nesër vendimin për Erion Veliajn i cili kërkon rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi do të shpallet të enjten në orën 10.00 nga gjyqtari i Posaçëm, Engert Pëllumbi.
Seancën e sotme e cila zgjati më shumë se 3 orë, foli kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili kundërshtoi provat dhe akuzat e reja të SPAK.
Veliaj pretendoi se SPAK e kishte përgjuar në bisedat telefonike me djalin e tij dhe familjarët ku interesohej për intervistat në media. Gjithashtu, Veliaj kërkoi që seanca e tij në Apel të zhvillohej me praninë e medias.
Veliaj ka kundërshtuar provat e reja të paraqitura nga SPAK, duke theksuar se ato nuk përbëjnë elemente të reja të ligjshme. Ai kërkoi seancë me dyer të hapura.
Sipas burimeve, Veliaj është shprehur se përgjimet e bisedave të tij familjare, të cilat janë përdorur si prova, lidhen me intervistat e tij në media dhe interesimin për intervista në kanale televizive të rëndësishme.
Ai gjithashtu ka kritikuar faktin që SPAK nuk ka marrë parasysh sulmet publike të Sali Berishës ndaj drejtësisë së re si prova të reja, duke u fokusuar vetëm në telefonatat dhe mesazhet e tij personale me familjen.
“Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit ‘prova të reja’. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, ka thënë Veliaj.
Po ashtu, Veliaj ka deklaruar në gjyq se është akoma kryetar bashkie i Tiranës, i votuar nga çerek milion njerëz. “Unë i qëndroj çdo postimi të bërë në rrjetet sociale”, ka thënë ai.
Në provat e reja të paraqitura dje nga prokurorët e posaçëm, janë biseda me familjarët dhe persona të tjerë në paraburgim, spas të cilave Veliaj ka organizuar sulme të orkestruara ndaj njerëzve të drejtësisë.
Për këtë arsye sipas tyre paraqet rrezikshmëri por ka dyshime të forta se mund të ndikojë dëshmitarët dhe të prishë provat. Në vazhdën e provave të reja sipas burimeve brenda seancës, janë paraqitur edhe kontrata fatura dhe transaksione bankare që lidhen kryesisht me kompanitë e kontralluara në mënyrë të tërthortë apo drejtpërdrejtë nga Ajola Xoxa.
Avokatët kanë kundërshtuar provat e reja e paraqitura dje nga prokurorët e posaçëm.
Prokuroria e Posaçme kërkoi vazhdimin e arrestit me burg për Veliajn, ndërsa avokatët e kryebashkiakut ofruan garanci pasurore në këmbim të lirisë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/