
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku po flet në mbledhjen e grupit parlamentar të PS në lidhje me masat e sigurisë të vendosura nga GJKKO për anëtarët e stafit të UBT.
Ai ka deklaruar se pas mbledhjes së zhvilluar ditën e djeshme me stafin, është vendosur se nuk do të komentohet asnjë vendim i drejtësisë, ndërsa shprehu bindjen se shumica e pedagogëve janë ” të pastër”.
Sallaku ka shtuar se çdonjëri nga pedagogët të vërtetojë me fakte se ka punuar ndershmërisht.

Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku
“Faleminderit për mundësinë për t’u sqaruar. Është një nga atakimet më të padëshirueshme për një drejtues. Jam këtu në grupin e mazhorancës qeverisë, nuk është e rastësishme. Mund të zgjidhja të dilja në media apo konferencë shtypi por nuk dua që të shkëputet asgjë nga konteksti dhe mesazhi të jepet i qartë. Dje edhe unë e mora vesh ngjarjen nga mediat, mblodha stafin ku kemi sqaruar situatën dhe dua të konfirmoj që ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë. Besojmë që do të ketë një proces të ndershëm por ajo që besoj është që shumica e pedagogëve të mi janë njerëz të ndershëm dhe asnjë proces nuk e zhbën realitetin që besoj un dhe shumica e atyre që punojnë në UBT dhe studentëve. Çdonjëri nga pedagogët të vërtetojë me fakte se ka punuar ndershmërisht”, tha ai.
Nën dyshimet për abuzime me tenderat, gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi 24 masa sigurie për dy zëvendës rektorët e Universitetit Bujqësor të Tiranë, dy pedagogë dhe staf administrativ.
Ndaj Ilir Kapaj, zëvendës rektor për mësimin dhe Romina Koto zëvendës rektore për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun dhe shtatë persona të tjerë, është caktuar masa e detyrimit për paraqitje.
Pesë të dyshuar janë dërguar nën masën e arrestit me burg, ndërsa 10 të tjerë, përfshirë dhe dy pedagogët Dritan Laçi dhe Ilir Kusi, po mbahen nën masën e arrestit në shtëpi.
Rektori i Universitetit Bujqësor në Tiranë, Fatbardh Sallaku, duke folur në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS, foli për masat e sigurisë të ndërmarra nga SPAK në UBT.
Sallaku tha se është i gatshëm që të flasë në çdo grup. Ai shtoi se nuk mbron askënd që mund të ketë abuzuar. Sallaku nënvizoi se ka nisur një reformë të thellë për të transformuar universitetin.
“Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim, të sqaroj këto gjëra. Edhe nëse Komisioni Parlamentar i Arsimit më thërret, jam gati të shkoj dhe të flas. Unë nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar. Kam shumë besim se Universiteti Bujqësor do të ringrihet.
Ne kemi pasur shumë sfida, jemi ringritur në vitet 1990, kur askush nuk donte të studionte bujqësi, jemi ngritur më 1997, jemi ringritur sërish më vonë dhe tashmë jemi futur në një rrugë, që është e vetmja rrugë që universiteti duhet të funksionojë në Shqipëri. Ne kemi nisur reformën më të thellë në universitete”- tha ai.
Kryeministri Edi Rama ka folur në mbledhjen e Grupit të PS-së, ku i ftuar ishte për të folur edhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku.
Rama tha se UBT ka bërë një kthesë historike, duke bashkëpunuar me një nga universitetet më të vjetra të botës. Ai shtoi se 24 persona nën hetim janë shumë, duke shtuar se vetëm mund të mendohet se çfarë mendojnë partnerët austriakë të universitetit për kaq shumë masa sigurie. Por, Rama shtoi se nuk mbron askënd që ka abuzuar.
Edi Rama: Shqetësimi i madh në këtë rast nuk lidhet me fajësinë ose pafajësinë e personave, por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitet që është në një kthesë historike dhe që ka të ardhmen e vet të varur nga një partneritet strategjik me një nga universitetet më të vjetra të botës. Çfarë do mendojnë partnerët austriakë kur të dëgjojnë këtë lajm? 24 njerëz nën hetim, numër i madh për një çështje, që s’ka asnjë lloj flagrance. Por ne nuk jemi për të mbrojtur askënd që ka abuzuar.
Shoh një përpjekje për të errësuar një të vërtetë që nuk duhet ta luaj topi. Kjo qeveri, PS dhe unë jemi të vetmit garant të institucioneve të reja të drejtësisë. Kur unë kam bërë me dije këtë dëgjesë me rektorin kishte një sërë reagimesh, dy prej tyre i kam me vete. Njëri është i Afrim Krasniqit, një individ i shoqërisë civile i cili akuzon për shkelje ligjore dhe kushtetuese si deklarim dhe akt politik këtë takim.
Po jap përgjigje jo vetëm për zotin Afrim por të gjithë atyre që mendojnë njësor, sidomos nga radhët e shoqërisë civile dhe të pavarurve që kërkojnë pa pushim vetëm represion dhe asgjë tjetër ndërkohë që ajo që ne kërkojmë dhe për të cilën lufton është një drejtësi e pavarur dhe europiane.
Ne nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. Rektori nuk u ftua të ngrinte flamurin e pafajësisë për 24 persona nën masë sigurie pa gjyq, as ne nuk kemi marrë përsipër të themi kush është apo jo o fajshëm”- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se, nëse nuk do të ishte kjo shumicë qeverisëse, nuk do të kishim parë asnjë hetim të nivelit të lartë dhe asnjë forcë politike në pushtet që vullnetarisht të kishte distancuar veten nga kontrolli mbi pushtetin e drejtësisë.
Ai theksoi se qeveria ka pranuar që në trupin e saj të bëhen eksperimentet më të mëdha kundër korrupsionit, eksperimente për të cilat nuk është reaguar për 5 vite, duke i dhënë kështu mundësi institucioneve të drejtësisë së re që të bëjnë punë e tyre.
“Po të mos ishte kjo shumicë qeverisëse nuk do të kishim parë asnjë hetim VIP apo një forcë politike në pushtet e cila vullnetarisht vendosmërisht me patriotizëm ka tërhequr duart nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë dhe ka pranuar që në trupin e saj të bëhen të gjithë eksperimentet kundër korrupsionit,. Eksperimente për të cilat kemi heshtur për 5 vite me radhë, edhe pse nuk do. E para është pavarësia. Nëse do të kishim folur siç po flasim sot do të kishim prishur më shumë punë se sa do të kishim ndrequr.
Por tani që reformën, SPAK dhe GJKKO që i ngritëm ne dhe u dhamë hapësirë të bëjnë punën që kanë bërë, i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit, kemi hyrë në fazën e dytë, që është drejtësi europiane, jo ruse”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/