
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Rruga e Arbrit, edhe pse pjesë e një partneriteti publik-privat (PPP), nuk do të ketë pagesë për qytetarët gjatë mandatit të tij.
Ai theksoi se kjo rrugë është financuar me fonde shqiptare dhe jo nga taksat, dhe paralajmëroi se në të ardhmen, siç ndodh në shumë vende të botës, të gjitha rrugët mund të bëhen me pagesë, por jo Rruga e Arbrit, gjatë kohës që ai do të jetë në krye të qeverisë.
Rama e quajti këtë një investim të rëndësishëm dhe përmendi se hapja e tunelit të Murrizit, e cila është planifikuar për më 14 mars, është një moment kyç për këtë projekt.
Ai theksoi se PPP-të janë një praktikë e zakonshme në Bashkimin Evropian, dhe përmendi përfitimet që kanë sjellë, si përmirësimi i kushteve në spitale, ku materialet më të mira kirurgjikale janë përdorur për operacione.
Rama: Ajo rruga e Arbrit atje, që do hapet tuneli i Murrizit më në fund o zot, ishalla nuk kemi ndonjë surprizë tjetër me atë tunel se aty është mbledhur i gjithë syri i keq. Më 14 mars është plani për t’u hapur, është rrugë shqiptare me para shqiptare dhe jo të taksave. Ajo është PPP-ja. Dikush pyeste sa do ta paguajmë atë rrugë? Nuk do ketë ajo rrugë pagesë, sa të jem unë këtu. Rruga e Arbrit nuk do ketë pagesë. Që do vijë dita që të gjitha rrugët do bëhen me pagesë siç i ka gjithë bota, kjo nuk diskutohet, por jo rruga e Arbrit sa të jem unë, por është PPP.
Ato PPP që BE i bën çdo ditë dhe që këtu janë mallkuar, ato PPP bën që në spitale të bien pikiatë infeksionet dhe sot robi operohet me materialet më të mira. Njësoj si në Evropë”- tha kryeministri.
Rama reagoi edhe ndaj kritikave në lidhje me sistemin e pensioneve dhe marrëveshjet ndërkombëtare për sigurimet shoqërore. Ai theksoi se shumë shqiptarë që kanë punuar jashtë vendit, si në Greqi, nuk kanë kontribuar në sistemin e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë, dhe kjo ka ndikuar në mundësinë e dhënies së pensioneve.
Rama shpjegoi gjithashtu se qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të nënshkruar marrëveshje me shtetet ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Greqinë dhe Italinë.
Ai theksoi se, megjithëse negociatat me këto shtete janë të vështira, kanë garantuar njohjen e periudhave të punës për pensionistët shqiptarë.
“Mesa kuptoj unë zonjë ju shkruani nga Greqia, keni shkuar atje mbase në vitet ‘90 ose më vonë, por jeni atje, keni punuar atje me siguri dhe nuk keni paguar asgjë në sistemin e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë. Si ju janë qindra mijëra të tjerë. Si gjenden këto para që t’ju jepet të gjithëve pensioni që do të dëshironin? Ama nga ana tjetër nuk kemi ndenjur duarkryq, por kemi bërë 15 marrëveshje për pensionet me vendet ku janë shqiptarë, dhe jemi duke negociuar me qeverinë greke, që është marrëveshja më e vështirë. Dy ishin të vështira, Italia. Bëhen shumë më shpejt gjërat këtu se në vendet e BE se sa kohë u bë që është firmosur marrëveshja me Italinë, ka shkuar në parlament, është një histori burokracie dhe procedurash, vendet më të zhvilluar kanë më shumë burokraci, kështu që duke bërë marrëveshjet me Italinë kemi garantuar se vitet e punës së pensionistëve shqiptarë në Itali njihen. Shumë herë mirë dhe nganjëherë keq, kjo qeveri dhe unë në krye të saj jemi këtu për të bërë një detyrë. Nuk jam këtu për të dëgjuar gjithë farë lloj llafesh dhe për të gëlltitur poshtërsitë dhe sulmet ndaj meje, familjes, njerëzve me të cilët punoj sepse kam një axhendë tjetër por sepse jam në një mision”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/