
Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetin e tij social “X”, përmes të cilit zbulon datën e shpërndarjes së bonusit të pranverës për pensionistët.

Rama njofton se më 1 mars do të nis shpërndarja e bonusit.
“Jo vetëm që unë nuk gënjej po flas me përgjegjësi të plotë për çka ka të bëjë me detyrën që më ka dhënë populli, e meqë vizion kanë akuzën, program kanë shpfijen dhe forcë udhëheqëse kanë gënjeshtrën, kudo, kurdoherë e për çdo gjë, e përhapën edhe lajmin që s’ka bonus për pensionistët! Por ja që vendimi për bonusin është marrë që në 9 janar dhe shpërndarja nis në 1 mars. Ta gëzojnë pensionistët dhe Zoti paftë e bëftë për ata që luajnë edhe me nervat e tyre“, ka shkruar kryeministri në platformën “X”.
Rama ka publikuar ndër të tjera edhe dokumentin e vendimit lidhur me shpërndarjen e bonusit.
Vendimi për bonusin është në 9 janar dhe shpërndarja nis në 1 mars.

Kujtojmë se në muajin janar Rama tha se pensionistët do të merrnin bonusin e pranverës në shkurt.
Por shpërndarja u shty dhe u vendos për në mars, për shkak të procedurave të brendshme, që kanë penguar lëvrimin e shumës për shpërblimin e radhës për pensionistët, pas atij të muajit dhjetor.
Ashtu siç u veprua në dhjetor, ndarja do të bëhet në bazë të një grafiku nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili posedon edhe të dhënat për çdo pensionist.
Qeveria ndryshoi për të tretën herë buxhetin e vitit të shkuar duke shpërndarë 6.3 miliardë lekë mbështetje për të moshuarit. Nga nisma do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh gjithashtu të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar si dhe kategori të tjera qytetarësh që trajtohen me pension.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/