![](https://shekulli.com.al/admin/wp-content/uploads/2025/02/berisha-ramaaa-780x405-1.jpg)
Sot Partia Demokratike do të zhvillojë protestë kombëtare, protestë e cila sipas PD po mbahet kundër korrupsionit të mazhorancës në pushtet dhe kryeministrit Edi Rama.
Protesta është njoftuar të fillojë në orën 17:00, dhe mbështetësit e opozitës do të tubohen përpara Kryeministrisë.
Pritet që Sali Berisha dhe disa drejtues të tjerë të opozitës të mbajnë fjalimet kryesore, duke paraqitur akuzat ndaj qeverisë, por edhe zgjidhjet që ka opozita nëse fiton besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit. Shefi i selisë blu e thirri këtë protestë pas intervistës së Arben Ahmetajt, që, sipas tij, faktoi me prova dhe dokumenta abuzimet e luksit të Kryeministrit Edi Rama, korrupsionin dhe lidhjet e tij me krimin.
Porta hyrëse e Kryeministrisë është veshur me veshje metalike. Ndërkohë është vendosur podiumi, nga ku folësit e zgjedhur nga PD do t’u drejtohen pjesëmarrësve në protestë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale për protestën e sotme të Partisë Demokratike.
Rama shprehet se “sot bufi stërplak i kënetës opozitare dilka bashkë me kënetën e tij në protestë dhe se frymëzim në këtë protestë qenkan broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.
Rama deklaron se kjo kënetë e kalbur politike humbësh duhet tharë nga shqiptarët, duke votuar të vetmen forcë politike të denjë në Shqipëri, Partinë Socialiste të Shqipërisë.
“Vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit”, shkruan Rama.
“Sot bufi stërplak i kënetës opozitare dilka bashkë me kënetën e tij në protestë dhe frymëzimi i protestës qenkan broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion e fshehje pasurie🤡🤮
Duhet përshëndetur kjo protestë, sepse është një pasqyrë e qartë sa s’ka…
— Edi Rama (@ediramaal) February 8, 2025
Duhet përshëndetur kjo protestë, sepse është një pasqyrë e qartë sa s’ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar, të cilën më 11 maj shqiptarët duhet ta çojnë drejt tharjes, duke votuar të vetmen forcë politike të denjë në Shqipëri, Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit, kur protestuesit e sotëm do të jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013″, shkruan kreu i qeverisë.
Policia ka shtuar masat e sigurisë për shkak të protestës së opozitës, e cila do të zhvillohet sot në orën 17:00. Policia e Shtetit tha se ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/