Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar sot kontrollin e fundit të ushtruar nga Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në një ambient në zonën e ish-Bllokut.
Xoxa përmes avokatit të saj, ka dorëzuar ankimimin ku ka kundërshtuar kontrollin e kryer më datën 14 janar në një godinë të regjistruar si apartament, i cili përdorej si magazinë për mbajtjen e sendeve personale.
Më 14 janar, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit zhvilluan kontrolle në apartamentin 11/4 në Sky Tower, i cili dyshohet se përdorej nga Xoxa.
Siç dhe u raportua më herët nëpër media këto kontrolle erdhën në kuadër të një hetimi që ka si objekt korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë nga ana e kryebashkiakut.
Hetuesit sekuestruan dhjetëra dokumente, të cilat u vlerësuan më rëndësi për zbardhjen e çështjes. Veç Veliajt i cili po hetohet për 4 vepra penale, në hetim janë dhe anëtarët e familjes së tij.
Kujtojmë se mëngjesin e 6 dhjetorit, rreth orës 08:00, agjentët e BKH-së shkuan në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj ku dhe sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.
Pas kontrolleve në shtëpi, agjentët e BKH-së të shoqëruar nga Ajola Xoxa u zhvendosën në ambientet e galerisë “Harabel”, ku ushtruan kontrolle dhe sekuestruan dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura lidhur me pasurinë e Veliaj dhe familjarëve të tij.
Kontrolle u kryen dhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut Veliaj, Arbër Veliaj. Avokatët e tyre menjëherë pas momentit të kontrolleve pretenduan se sekuestrimi i dokumentave të cilat nuk ishin të përpiluara në kërkesën e SPAK ishte në kundërshtim me ligjin.
Avokatët e bashkëshortes dhe vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt ankimuan kontrollet e oficerëve të BKH-së duke pretenduar se janë bërë në shkelje të ligjit procedural për mungesë shkaku të ligjshëm.
Por Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi ankimimin e bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës për kthimin e telefonit dhe dokumentave të marra nga oficerët e BKH-së më 6 dhjetor. Vendimi u mor nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri.
Më herët Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se Erion Veliaj po hetohet për konsumimin e 4 veprave penale, për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të-personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim.”
Sipas asaj që SPAK njoftoi u bë me dije se ky hetim ndaj Erion Veliajt erdhi pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi Nesti Angoni, emrin e këtij të fundit e bëri publik vetë kryebashkiaku gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/