Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Pas seancës në Apelin e GJKKO, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat tha se prokurorët e SPAK kanë hyrë në një rrugë që nuk po dalin dot vetëm nga mllefi provincial.
“Arbitrariteti nuk e bën më të fortë SPAK, e bën të korruptueshëm në opinionin publik. Gjyqtarët janë nën presionin e SPAK, nëse gjyqtarët dalin dhe japin vendime që nuk i pëlqen, atëherë ata i nënshtrohen kontrollit pasuror”, tha Kryemadhi.
Deputetja tha se nuk ka ndërmend të merret më me politike, por nuk dha një përgjigje të prerë nëse do të kandidonte ose jo në zgjedhjet e 2025-ës për deputete. “Nuk e kam vendosur, për momentin do të merrem me ata që nuk duhet të kandidojnë në zgjedhje”, tha Kryemadhi.
Ajo u shpreh se letrat do të mbeten, ndërsa Prokurorët dhe Gjyqtarët do të ndryshojnë, pasi nuk i dihet dhe Edi Rama mund të nisë një reformë të re në drejtësi. “Prokurorët ishin totalisht të papërgatitur përballë fakteve dhe argumenteve që unë kam parë në fashikuj dhe të letrave të porosive që kanë ardhur nga SHBA, Çekia dhe Austria.
Metodologjia ishte nën nivelin e një studenti të vitit të parë të juridik.
Të 34 fashikujt rezultojnë me falsifikime me keqdashje nga ana e SPAK për të dy çështjet, përfshi edhe CEZ/DIA.
Kalkulimet dhe analizat financiare të bëra nga SPAK janë falsifikime, përfshi edhe ato të pasurive tona”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi zbuloi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndërsa sqaroi dhe një herë e mirë marrëdhënien e saj me Metën.
“Nuk merrem më me politikë po do merrem me sensibilizimin e opinionit publik kundër luftës së tretë botërore, që është fake neës. Nuk mendoj se do kandidoj…. Unë nuk i kam kërkuar takim me Ilir Metën. Marrëdhënia ime bashkëshortore me Ilir Metën ka mbaruar. Nuk ka më kthim prapa”
Ajo tha se marrëdhënia bashkëshortore me Ilir Metën ka përfunduar, nuk ka kthim mbrapa.
Referuar SPAK, Kryemadhi tha se Prokuroria e Posaçme ka vepruar politikisht.
“Porti i Durrësit sot drejton Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe SPAK. Që nga momenti kur në krye të SPAK u vendos një drejtues i ri nuk është kapur asnjë kilogramë kokainë nga Porti i Durrësit, ndërkohë që kalojnë kontenierë me kokainë.
Po pres të zbardhet edhe evazioni fiskal 189 mln euro që na vijnë nga kompanitë e frutave ekzotike që pastrohen në ndërtim ku kanë shtëpi edhe prokurorët e SPAK”, tha Kryemadhi, duke theksuar se SPAK kontrollohet nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
E pyetur lidhur me deklaratat e Ilir Metës që bën përgjegjëse ish-bashkëshorten e tij, përsa i takon deklaratave të pasurisë, Kryemadhi tha se çështja e deklarimit të pasurisë për z. Meta bie automatikisht.
“SPAK qëllimisht ka gënjyer lidhur me deklarimin e pasurisë pasi në deklaratë thuhet se është pakësuar me 14 mln, ndërkohë SPAK e shkruan 10 mln, dhe ngre një akuzë për këtë diferencën, gjë që bie automatikisht. Po kështu rrëzohen edhe ato pretendimet se një zonjë ka paguar për Ilir Metën, pasi nga letërporositë rezulton se ajo ka paguar për veten e saj.
Po kështu edhe bazuar në letër-porosinë e ardhura nga Çekia thuhet se Kastriot Ismailaj dhe Ilir Meta nuk ka fjetur në një hotel, sikundër shkruajnë portalet e paguara nga inceneratori i Tiranës, çka rrëzon edhe këtë pretendimin për CEZ DIA”, tha Kryemadhi.
Prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Sotir Kllapi kanë ngritur akuzat për korrupsion dhe fshehje pasurie ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Seanca në Apelin e GJKKO-së ka zgjatur 6 orë, ku prokurorët e SPAK kërkuan që të mos ndryshojnë masat e sigurisë, ndërsa Ilir Meta mbajti një fjalë të gjatë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Meta tha se nuk i ka shkuar asnjëherë ndërmend që të largohet nga vendi për tiu shmangur drejtësisë, madje u shpreh i gatshëm që ti bllokohej edhe pasporta. Meta e lidhi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë edhe me zgjedhjet, duke kërkuar që të drejtonte fushatën e partisë së tij, ndërsa tha se mbahet në burg politikisht si lider i partisë së dytë më të madhe opozitare.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/