Protesta e opozitës ka gjetur pasqyrim në mediat ndërkombëtare.
“Bllokadë civile, sot ose kurrë!” ishte motoja e protestës, shkruan Associated Press.
Në vijim, thuhet se në Tiranë, deputetët e opozitës parkuan makinat e tyre për të bllokuar trafikun për tre orë. Në vende të tjera, mbështetësit e opozitës organizuan protesta në anë të rrugës ose dogjën goma.
“Opozita shqiptare bllokoi të martën udhëkryqe në të gjithë vendin në një tubim mbarëkombëtar duke kërkuar që qeveria të zëvendësohet nga një kabinet kujdestar teknokratik përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Ligjvënësit udhëhoqën qindra mbështetës të opozitës në mitingje në hyrjen kryesore të kryeqytetit, Tiranë, dhe në pesë udhëkryqe të tjera kryesore në të gjithë vendin për të bllokuar trafikun”, vijon artikulli, duke pasqyruar atë që ka ndodhur në Shqipëri.
Demokratët konservatorë të udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha kanë akuzuar prej kohësh socialistët e kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve të mëparshme dhe uzurpim të pushteteve të gjyqësorit. Policia paralajmëroi se pengimi i trafikut ishte një vepër penale që mund të dënohej deri në tre vjet burg.
Media prestigjoze “Washington Post” ka shkruar një artikull për protestën e opozitës që u zhvillua sot në vendin tonë, duke bllokuar rrugët krysore në vend në shenjë revolte.
“Opozita shqiptare bllokoi të martën rrethrrotullimet në të gjithë vendin në një tubim mbarëkombëtar duke kërkuar që qeveria të zëvendësohet nga një qeveri teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Ligjvënësit udhëhoqën qindra mbështetës të opozitës në mitingje në hyrjen kryesore të kryeqytetit, Tiranë, dhe në pesë udhëkryqe të tjera kryesore në të gjithë vendin për të bllokuar trafikun. “Bllokadë civile, o sot o kurrë!” ishte motoja e protestës”, shkruan Washington Post.
Protesta e opozitës e cila sot u shtri në mbarë vendin u thirr nga opozita në kuadër të mosbindjes civile.
Kërkesa kryesore e opozitës është qeveria teknike, Protesta e thirrur nga opozita nisi sot në orën 17:00 dhe përfundoi në orën 20:00.
Ishte një protestë e qetë në përgjithësi, pa incidente e as përplasje të dhunshme.
Kronologjia
Deputetët e PD dhanë mesazhin se qëllimi i kësaj protestë është realizimi i kërkesave të tyre, qeveria teknike me qëllim zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe lirimin e Sali Berishës. Në Tiranë, Elbasan dhe në Milot situata në disa momente u tensionua, ndërsa protestuesit dogjën goma, shkurre dhe kosha mbeturinash.
Policia bëri disa herë thirrje që rrugët të lirohen, pasi bllokimi i tyre përben vepër penale. Kjo është konsideruar nga deputetët e PD si provokim që po i bëhet qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
Në Tiranë, sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe deputeti Asllan Dogjani u përplasën me policinë, duke i kërkuar atyre që të distancohen dhe të mos provokojnë.
Madje Flamur Noka paralajmëroi se nëse policia nuk tërhiqet nga provokimet, qytetarët do t’i drejtohen Surrelit.
Në fund protesta u mbyll dhe qytetarët u shpërndanë në mënyrë paqësore.
Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se “sot e gjithë Shqipëria ishte në duart e opozitës”. Sipas tij nuk ka më kthim pas dhe se aksioni opozitar dhe mosbindja civile do të vazhdojë.
“Sot ka qenë një ditë e jashtëzakonshme. Dua të falënderoj me mirënjohje të pafundme të gjithë të rinjtë, të rejat, qytetarët që iu përgjigjën ftesës së opozitës për këtë hap të madh të mosbindjes civile.
Dua të falenderoj gjithashtu edhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi që bënë gjithçka të shmangin përplasjet në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës që me heshtjen e tyre të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Dua të bëj me dije se sot ka qenë një ditë e zezë për narkoregjimin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar, ata kanë sjellë narkopolicinë në çdo kryqëzim me qëllim që të intimidojnë opozitën.
Por me këtë sjellje të tyre ata treguan se janë në panik dhe mosbindja civile ka filluar të japë frytet e veta.
Qëndresa, rezistenca jonë do të vazhdojë. Mosbindja civile do jetë ajo që do i sjellë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kthim pas nuk ka, qëndresa dhe rezistenca do japin frytet e saj”, tha Noka.
I pyetur nëse Surreli do të jetë destinacioni i radhës, Noka u shpreh se “sot e shmangëm, por nuk do ta shmangim gjithmonë”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/