Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë pas arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me urdhër të SPAK. Meta ndodhet në arrest me burg prej të hënës në mesditë pasi Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se do të vazhdojë t’i përmbahet parimit të tij për të mos komentuar vendimet e drejtësisë.
Kreu i qeverisë tha se çështja e ish-partnerit të tij qeverisës i takon vetëm drejtësisë.
Edi Rama: Unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj apo në prani të miqve të huaj. Që prej se ne kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet, as unë dhe as forca politike që unë udhëheq nuk bën komente që i takojnë drejtësisë. Kur ndodh që çështjet të përmbyllen mbase në një rast ia vlen të bëhet ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomene katastrofike për shoqërinë siç është shpifja. Për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë.
Ndërsa Presidetja e KE-së, Urusla von der Leyen, ka shmangur komentet lidhur me arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta. Ajo u pyet në konferencën për mediat se çfarë mendonte për arrestimin e ish-Presidentit të Republikës.
Presidentja e KE tha se procesi i integrimit në BE varet nga merita dhe puna e çdo vendi, duke theksuar më tej se tashmë Shqipëria po tregon që gjërat kanë ecur shpejt.
“Procesi varet nga merita e çdo vendi, kjo është e rëndësishme për vendet anëtare, që ju të shikoni rezultatin e punës. Me Shqipërinë kemi një shembull të shkëlqyer, tregon që gjerat kanë ecur shpejt”, tha ajo.
Ursula von der Leyen: Unë nuk do të bëj komente për vendimet gjyqësore. Ne punojmë për reformën gjyqësore, por kjo nuk ka të bëje me çështje individuale. Procesi varet nga merita e çdo vendi, kjo është e rëndësishme për vendet anëtare, që ju të shikoni rezultatin e punës. Me Shqipërinë kemi një shembull të shkëlqyer, tregon që gjerat kanë ecur shpejt dhe nëse ecin siç duhet në ndoshta do hapin të gjithë grup kapitujt deri vitin e ardhshëm. Duhet bërë gjithë puna për të qenë vend anëtarë dhe kjo varet nga puna e çdo vendi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/