Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me skandalin për dhënien e diplomave false që kolegji universitar “Wisdom” jepte në vendin tonë, në këmbim të pagesave që shkonin deri në 9 mijë euro.
Hetimet kanë nisur prej muajit Korrik të këtij viti, ku sipas Prokurorisë ky denoncim është bërë nga nga administratori italian Savino Cianci, por edhe pas kallëzimit të rektorit Bajram Hysaj që ka deklaruar se ka bërë një të tillë, me pretendimin se në disa raste atij i ishte falsifikuar firma.
Hetimi ka nisur për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, teksa janë sekuestruar shkresa, janë bërë këqyrje dokumentacioni dhe është marrë në pyetje rektori. Hetimet po zhvillohen nga prokurorja Antoneta Sevdari, teksa pas regjistrimit të kallëzimit, deri në muajin Shtator, janë kryer veprime të tjera hetimore.
Ka dy hetime të ndara, ai i palës italiane që rezulton se nuk ka bashkëpunuar apo kërkuar ndihmën e autoriteteve shqiptare dhe ai tashmë i Prokurorisë së Tiranës, ku rezulton se si administratori italian, ashtu edhe rektori shqiptar i universitetit, kanë depozituar kallëzime për falsifikim.
Do jenë hetimet që do zbardhin skemën dhe çfarë ka ndodhur, teksa pala italiane gjithashtu pas hetimeve të saj ka sjellë dosjen drejt Shqipërisë, ku atje ka 9 të ndaluar dhe 41 persona nën hetim.
Kurse Prokuroria e Tiranës nga ana e saj njofton se ky kallëzim është bërë nga vetë administratori italian i universitetit:
“Mbi bazën e kallëzimit të shtetasit S.C., në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Wisdom ” shpk, ka regjistruar procedimin penal nr. 4148 të vitit 2024 për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve shkollore”, parashikuar nga neni 187/2 të Kodit Penal. Çështja është në fazën e hetimeve dhe informacion më i detajuar në lidhje me veprimet hetimore në këtë fazë nuk mund t’u vihet në dispozicion, për shkak të sekretit hetimor”.
Disa ditë më parë, autoritet italiane arrestuan edhe 2 administratorët italianë të universtitetit, Savino Cianci (i thirrur edhe Nino) dhe administratori Leonardo Catalano, gjatë një operacioni të Guardia di Finanza, që lidhej me një skemë mashtrimi me diplomat false.
Bashkë me dy administratorët, në pranga përfunduan edhe 7 persona të tjerë. Në dosje, pjesë të së cilës i publikoi edhe Shqiptarja.com, flitej për korruptimin e zyrtarëve të institucioneve shqiptare, si rasti i korruptimit të presidentes së ASCAL, Shqiponja Telhaj, për akreditimin e universitetit, me një çantë “Luis Vuiton”, me vlerë 1200 euro. Kjo e fundit e mohoi implikimin, teksa pati edhe reagime të institucioneve zyrtare.
Deri tani janë 9 persona të arrestuar në Itali, me akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh korrupsion e pastrim parash. Gjithsej janë 41 të dyshuar, ndërsa po hetohet edhe veprimtaria e 2 kompanive me seli në Romë dhe në Foxhia.
Mes të arrestuarve është edhe pronari i Kolegjit Universitar Wisdom me qendër të Tiranë, Savino Cianci dhe administratori Leonardo Catalano.
Sipas mediave italiane dyshja Cianci-Catalano i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro presidentes të Këshillit të Akreditimit të Agjencisë për Akreditimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shqiponja Telhaj, për akreditimin e Wisdom University.
Kjo e fundit ka reaguar në rrjetet sociale dhe shkruan se nuk ka pranuar asnjë dhuratë, madje nuk ka pirë asnjë kafe nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaja apo shqiptare.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/