Më shumë se 791 mijë pensionistë do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve prej 4.1%. Vendimi u miratua nga Këshilli i Ministrave, dhe do të hyjë në fuqi nga 1 tetori 2024.
“Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim do të përfitojnë rreth 791,257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta”,tha Gonxhja.
Me këtë rritje pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për ato rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë. Ndërsa masa e pensionit social rritet nga 9,327 lekë në muaj në 9,710 lekë në muaj. do t’i kushtojë buxhetit 1.6 miliardë lekë për këtë vit.
“Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 1,6 miliardë lekë vetëm për tre muajit e vitit”, tha ministri.
Përtej indeksimit, pa dhënë ende shifra, Gonxhja tha se bonusi i fundvitit do jetë më shumë se 5 mijë lekë.
“Bonusi do të jetë i rishikuar dhe me rritje”, tha ministri.
Institucionet tha ministri po punojnë edhe për skemën e re të pensioneve, që në fokus do të ketë kategoritë që kanë pensionin më të ulët dhe pensionet e pjesshme.
“Do të përqendrohemi më shumë tek barazia mes të ardhurave, pra për profesione të njëjta të dala nga llogaritja e pensionit në vite të ndryshme. këtë synojmë ta zgjidhim. Do të shohim pensionet e pjesshme, të invaliditetit që janë në nivel të ulët për shkak të kontributeve të tyre. Do përpiqemi për ato kategori që kanë një nivel të ardhurash nën minimumin jetik, apo që i vë ata në vështirësi për të përballuar jetesës”, tha Gonxhja.
Në Shqipëri janë mbi 294 mijë qytetarë që marrin pension të pjesshëm, për shkak të viteve të pakta të punës dhe kontributeve të ulta.
“Ka shumë rëndësi tregu i punës. Ka shumë rëndësi deklarimi, paga reale. Ka rëndësi formalizimi i tregut të punës që ndikon në rritjen e kontributeve”, tha ministri.
Në tetor do të nisë një aksion për të goditur informalitetin në punë, me synim deklarimin real të pagave. Kjo nismë e qeverisë vjen për shkak se me mijëra qytetarë vuajnë nëndeklarimin e pagave dhe për pasojë kanë më pak kontribute të paguara për pensionin e tyre.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/