Prokuroria e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” dhe “arrest shtëpie” për nëntë persona, që akuzohen për mashtrim me mikrokreditë.
Sipas organit të akuzës, subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesit e tyre, rezultojnë se kanë marrë nga banka “ProCredit” 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ të parashikuar nga neni 143/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.
Nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.
Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.
Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.
Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.
Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Po kështu u provua se shtetasja K.S., në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.
Ndërsa shtetasit A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’ parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.
Përveç sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, çmoi se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale, që ndaj personave nën hetim të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues dhe gjykata vendosi:
1 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.D.;
2 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.G.;
3 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin E.M.;
4 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen K.S.;
5 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për E.I.;
6 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen J.D.;
7 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.M.;
8 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin A.K.; dhe
9 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen A.T.
Të gjithë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Detajet
Prokuroria e Tiranës ka zbërthyer skandalin e mikrokredive dukë lëshuar 9 masa sigurie për administratorët e 5 kompanive, si dhe për disa përmbarues në Tiranë.
Mësohet se masa “arrest në burg” është kërkuar për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edomnd Maton, Arben Meskutin, si dhe Alban Kote është shpallur në kërkim.
Ndërsa, për Kejda Seferin, Elda Ibron, Alketa Tanushin dhe Jordisa Dervishin është kërkuar masa “arrest në shtëpi”.
Kejda Seferi
Prokuroria e Tiranës ka “kopsitur” dosjen lidhur me skandalin e mikrokredive duke lëshuar këtë të premte 9 masa sigurie për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesve, të cilët akuzohen se kanë mashtruar shqiptarët përmes skemave korruptive të mikrokredive. Prokuroria ka arritur të zbërdhejë skandalin e denoncuar muaj më parë nga Newsbomb.al se si shqiptarët zhvateshin dhe “merreshin peng” nga këto shoqëri.
Një pjesë e bankave që shiti një sasi të kredive me probleme te kompanitë e mbledhjes së borxheve, një ndër to dhe Micro Credit Albania, nuk u interesua asnjëherë për fatin e kreditorëve.
Ajo që nisi fillimisht si një biznes i drejtë për të mbledhur detyrimin që disa individë kishin pranë bankave të nivelit të dytë, nisi dalëngadalë të kthehej në një skemë grabitqare dhe me synimin për tu pasuruar në kurriz të të pamundurve. Kompanitë e mbledhjes së borxhit blenë për 8 deri në 10% të vlerës një total prej rreth 100 mijë kontratash kredish të këqija, dhe aty ku u gjetën debitorë, nuk u kursyen t’i vendosin detyrime të larta përtej vlerave që lejon ligji.
Micro Credit Albania ka vijuar biznesin duke i vendosur qindra debitorëve një penalitet 30% mbi vlerën e detyrimit bashkë me interesin dhe jo të principalit, siç sanksionon rregullorja e Bankës së Shqipërisë. Për të gjetur shpëtim, kreditorët e këqinj janë udhëzuar nga zyrat e përmbarimit të kontraktuara nga MCA që të lidhin një aktmarrëveshje për shlyerjen e borxhit bashkë me penalitete.
Debitorët kur janë përballur me bllokimin e pagave, makinave dhe të gjithë të ardhurave që kishin janë detyruar të pranojnë marrëveshjen, por kanë pyetur se ku mund të marrin paratë. Përmbaruesi i ka rekomanduar lidhjen e një kontrate huaje, dhe paratë do të shkonin më pas në llogarinë e MCA. Njëherë kredi bashkë me interesin e saj nga një kreditor i keq, dhe sërish kredi për një kreditor të keq, kjo e dyta me interes më vete.
Kredia nuk lëshohej nga banka, por personi që lidhte marrëveshjen shoqërohej në sportel nga një punonjës i MCA i cili lëshonte një çek që thyhej nga sportelisti i bankës. Ministria e Drejtësisë ka identifikuar raste ku kreditorët e këqinj janë detyruar të lidhin deri në 3 herë kontrata të reja kredie, të cilat kapin vlerë deri në 2, 3 apo 4 herë më të lartë se detyrimi fillestar, por paratë nuk janë prekur asnjëherë me dorë nga kreditori me përjashtim të kredisë së parë, të gjitha janë arkëtuar nga MCA.
Kjo skemë nisi duke u facilituar nga sportelet bankat e nivelit të dytë, por më pas Microcredit Albania aplikon për t’u pajisur me licencë si institucion financiar që lejohet të japë kredi. Këtu biznesi nisi të lulëzonte. Tashmë debitorët e lidhin kontratën e kredisë me vetë MCA disa herë dhe vlera e detyrimeve që ata paguanin kalonte disa herë paratë që kishin marrë kredi dikur në bankë. Familjet e pamundura varfëroheshin dhe fitimet e MCA dhe disa përmbaruesve vetëm shtoheshin.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/