
Media ka siguruar dëshminë e Azgan Mërnicës, i cili dyshohet si autori i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenaliaj.
Ai ka treguar para oficerëve të policisë gjyqësore se si nisi konflikti me policin dhe mënyrën se si e ka qëlluar për vdekje. Sipas autorit, konflikti ka filluar për shpejtësinë më të cilën dy të rinjtë udhëtonin. “Kujtova se më shahu dhe u nxeha. Momenti që u kthye për të hipur në makinë, unë nxora pistoletën nga çanta dhe e qëllova te koka mbrapa.”, thuhet ndër të tjera në dëshminë e Mërnicës.
“Unë isha duke ikur me makinë nga qyteti në fshat, kisha marrë makinën e dajës dhe nënën do e çoja tek daja. Isha duke ecur shpejt dhe shkëmbehem me policin që shkonte nga fshati në qytet dhe për pak sa nuk u përplasa me të. Ai më bëri me shenjë ndalo. Unë zbrita nga makina. Zbriti dhe ai nga makina. Aty kemi bërë llafe. Ai më tha ku shkon ti me këtë shpejtësi more, dhe më ofendoi. Kur ai bëri me dorë unë kujtova se më shau dhe u nxeha. Momenti që u kthye për të hipur në makinë, unë nxora pistoletën nga çanta dhe e qëllova te koka mbrapa.
Shkova te daja dhe e lashë makinën atje. Pastaj kam ecur në këmbë nëpër fusha e disa kanale. Në kanale lëviza e qëndrova për 48 orë. Momentin që po më hahej bukë se kisha dy ditë pa bukë, shkova ke shtëpia e dajës. Këta ndërkohë kishin njoftuar policinë se kishin hall se mos më vriste RENEA. Aty erdhi policia dhe më mori, një polic, shefi krimeve të Fierit dhe më çoi në drejtori”, ka dëshmuar Azgan Mernica.
Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me vetëdorëzimin e 23-vjeçarit, Azgan Mernica, mbrëmë në Policinë e qytetit të Fierit. Burime për mediat bëjnë me dije se blutë kishin rënë në gjurmët e vrasësit të efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenaliajt.
Forcat e policisë kishin arritur të lokalizonin Mernicën, i cili fshihej në fshatin Dërmenas. Ata i kishin lënë afat 23-vjeçarit që të vetëdorëzohej, ose në të kundërt do të duhet të ndërhynin me forcë.
Ishin familjarët ata të cilët kishin arritur ta bindnin atë që t’i jepte fund arratisë dhe të dorëzohej pranë bluve.
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijuan pa ndërprerjë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.
Paralel me veprimet operacionale në terren, policia zhvilloi negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar. Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë Azgan Mernicën, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/