Një detaj prekës mësohet për Novruz Cenalian, efektivin e forcave “Shqiponja”, që u vra me armë në mes të ditës në fshatin Baltëz të Fierit. I riu, sipas burimeve, kishte vetëm një muaj që ishte martuar, ndërsa sot ndërroi jetë, pasi u qëllua me armë zjarri nga 23-vjeçari Azgan Mernica.
Norvuz Cenalia ishte jashtë shërbimi në kohën që u qëllua, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi po shkonte për të marrë shërbimin. Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ndodhi për një konflikt të çastit.
Autori është shpallur në kërkim, ndërsa kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Reagon ministri Balla
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me vrasjen e efektivit të policisë ditën e sotme në qytetin e Fierit.
Balla shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimës, ndërsa bëri thirrje që policia dhe drejtuesit e saj të bëjnë gjithçka për arrestimin “një orë e më parë” të autorit.
Ai theksoi se ende nuk dihen arsyet e ngjarjes, ndërsa i bëri thirrje edhe vetë autorit dhe familjarëve të tij që ai të dorëzohet pranë autoriteteve.
“Dua të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie. Nxis policinë dhe drejtuesit e saj që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit. E them shpesh që do të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie. Nuk dua të hyj në interpretimin e informacioneve paraprake, ende nuk dihen arsyet. Gjithsesi përgjegjësia e parë që bie mbi policinë është identifikimi menjëhershëm i autorëve”, u shpreh ai.
Deklarata e Rrumbullakut
Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, që është zhytur në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit.
Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë. Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se, do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë.
Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit.
E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenojë uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/