Qeveria e Izraelit dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për një pauzë katërditore të luftime për të lejuar lirimin e 50 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar. Një deklaratë e publikuar nga zyra e kryeministrit thotë se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen gjatë katër ditëve, gjatë të cilave do të ketë një pauzë të luftimeve. Për çdo 10 pengje të liruara, pauza do të zgjatet me një ditë, thuhet në deklaratë pa përmendur lirimin e të burgosurve palestinezë në këmbim. “Qeveria e Izraelit është e përkushtuar për lirimin e të gjitha pengjeve. Sot, ajo miratoi marrëveshjen e propozuar si një fazë të parë për arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas disa orësh diskutimesh me dyer të mbyllura.
Qeveria izraelite filloi një takim në orët e para të mëngjesit të së mërkurës për të shqyrtuar një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve që mbahen në Gaza nga militantët palestinezë të Hamasit në shkëmbim të një armëpushimi disaditor dhe lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë nga ana e Izraelit. Zyrtarë nga Katari, vend i cili ka ndërmjetësuar negociatat, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Hamasi kanë thënë prej disa ditësh se një marrëveshje ishte e pashmangshme.
Përpara mbledhjes me qeverinë e plotë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një takim të martën me kabinetin e tij të luftës si dhe kabinetin e sigurisë kombëtare lidhur me marrëveshjen në fjalë. Besohet se Hamasi mban më shumë se 200 pengje të marra kur luftëtarët e tij hynë në Izrael më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite. Kryeministri izraelit tha se ndërhyrja e Presidentit Joe Biden kishte ndihmuar në përmirësimin e marrëveshjes në tentativë, në mënyrë që të përfshinte më shumë pengje dhe më pak lëshime. Zoti Netanyahu tha se misioni më i gjerë i Izraelit nuk ka ndryshuar.
“Ne jemi në luftë dhe do ta vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona. Për të shkatërruar Hamasin, për të liruar të gjitha pengjet dhe për të siguruar që asnjë organizatë në Gaza nuk mund ta kërcënojë Izraelin”, tha ai në një mesazh të regjistruar në fillim të mbledhjes së fundit të qeverisë. Një zyrtar amerikan, me njohuri mbi diskutimet, tha më herët se në bazë të marrëveshjes, Hamasi do të lironte 50 pengje të marra në Izrael, kryesisht gra dhe fëmijë, në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë dhe një pauzë në luftime për katër ose pesë ditë. Pauza do të lejojë gjithashtu dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza.
Mediat izraelite njoftojnë se pengjet e para mund të lirohen të enjten. Zbatimi i marrëveshjes kërkon 24 orë kohë për t’u dhënë qytetarëve izraelitë mundësinë, nëse duan, që t’i kërkojnë Gjykatës së Lartë që të bllokojë lirimin e të burgosurve palestinezë, thuhet në njoftimet e shtypit. Deri më sot, Hamasi ka liruar vetëm katër pengje. Krahu i armatosur i grupit militant palestinez Xhihadi Islamik, i cili mori pjesë në sulmin e 7 tetorit me Hamasin, tha vonë të martën se kishte vdekur një nga pengjet izraelitë që kishte mbajtur që nga sulmet e 7 tetorit në Izrael. “Ne kemi shprehur më parë gatishmërinë për ta liruar atë për arsye humanitare, por armiku po vononte dhe kjo çoi në vdekjen e saj”, tha Brigada Al Quds në kanalin e saj në Telegram./VOA
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/