Olsi Sherifi
Këngëtari i mirënjohur Astrit Qerimi është ndarë nga jeta, në datën 6 maj, ditën e festës pagane Erdelezit, kur të gjithë Romët festonin në shtëpinë e tyre me këngë dhe valle. Erdhi krejt papritur lajmi i hidhur që Astriti është ndarë nga jeta. Edhe pse dukej e pabesueshme, por u vërtetua pas disa njoftimeve të miqve dhe nga të afërmit e tij në rrjetin social Facebook. Prisja që ndonjë media të interesohej dhe të shkruante diçka sado të vogël për ta kujtuar për hir të kontributit që ka dhënë në skenë për të gjithë fansat e muzikës së tij. Por, siç nuk pritej, i ndjeri artist i muzikës Rome nuk ishte në radarin e medias.
Astrit Qerimi njihej që në vegjëli për talentin e tij në këndim, për vokalin e tij shpërthyes, të cilin e ka bërë të veçantë nga këngëtarët e tjerë. Në moshë shumë të re është angazhuar në fushën e muzikës dhe është piketuar nga profesionistët si një këngëtar me talent të rrallë.
Edhe pse nuk jeton më, ai ka lënë trashëgimtar djalin e tij Eri Qerimi, për ta përfaqësuar denjësisht në fushën e muzikës. Astriti ka investuar tek djali i tij që në moshë të hershme, pasi pa që Eri kishte zë shumë të fuqishëm dhe ra në sy për talentin e tij. E ka mbështetur deri në momentin kur Eri filloi të prodhonte vet muzikë.
Dua t’ju njoh pak me Astritin se si ka vijuar rrugëtimi i tij artistik drejt muzikës që kur ishte një djalë i ri. Në fillimet e viteve ‘90, kur u krijua Ansambli i parë i muzikës Rome i quajtur “Rromano Dives” që përkthehet “Rrugëtimi Rrom.” Një grup i përbërë nga shumë legjenda të cilët kanë qenë mjeshtër të instrumenteve, këtu mund të përmendim, të ndjerin, violinistin e madh, Halil Xhaferraj; Fizarmonicistin e madh Refail Caka; Ilir Xhambazi me klarinetë, Shpëtim Rama me kitare bas, kompozitori Alban Furtuna me kitare dhe disa që nuk jetojnë më si vokalisten Marjeta Jashari këngëtare, Jonuz Duka perkusion, dhe së fundmi vokalistin kryesor Këngëtarin Astrit Qerimi që për vite me radhë ka mbajtur në piedestal muzikën tradicionale Rome.
Në një bashkëbisedim me Shpëtim Ramën dhe Refail Cakën, për rreth 1 orë jemi ulur në një kafene ku punon Refail Caka në çdo mbrëmje me muzike popullore shqiptare nëpërmjet instrumentit që ai zotëron siç është fizarmonika. Në bisedim me ta, shprehen shumë të pikëlluar nga ikja e parakohshme e një artisti të madh siç ishte Astrit Qerimi. Refaili, nisi të kujtonte periudhat nostalgjike që kishte ky grup, dhe arritjet e tij që ka patuar ndër vite duke korrur sukses njërin pas tjetrit. Pas viteve 90’ grupi Rromano Dives krijoi albumin e tij të parë të quajtur “Çaj Zibede”, më pas nisën turin me koncerte të shumta, duke përfshirë shtete si Francën, Gjermaninë, Zvicrën dhe Hungarinë, etj. Përveç se muzikës Rome, pjesëtarët e grupit janë dhe mjeshtër të muzikës popullore shqiptare, të cilët në atë kohë kërkoheshin shumë në evente si dasma apo koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Refaili dhe Shpëtimi na treguan gjatë kohës kur u krijua ansambli, se kush ishin pjesëtarët e grupit.
“Në fillimet e këtij grupi ishte dhe Beni me klarinetë, vëllai i Astrit Qerimit. Për sa i përket Astritit, ai ishte këngëtari më energjik dhe bënte publikun për vete, ishte shumë i saktë dhe shumë i madh si artist. Që në fillim u bë pjesë Astriti dhe Marjeta Jashari e cila këndonte shumë mirë dhe ishte tepër skenike, të dy krijonin një alegri që publiku kënaqej. Ne kemi qenë grup kompakt që i realizonim këngët në perfeksion dhe publiku na duartrokiste. Gjatë qëndrimit në Francë, kemi organizuar dhe koncerte për bamirësi. Në Paris është regjistruar një disk me 10 këngë dhe nuk jemi në dijeni se ku ka përfunduar. Nuk vazhdoi më grupi, sepse nuk ka pasur një menaxher për të mbajtur një ansambël… Me Astritin kemi pas shkuar në disa dasma dhe ai ishte unik si në këngët Rome dhe në ato popullore.”
Ilir Xhambazi, mjeshtër i klarinetës, i cili ka ndarë skenën me Astritin për vite me radhë me muzikë popullore shqiptare dhe të asaj tradicionale Rome, brenda dhe jashtë vendit.
“Astriti ka qenë kushëriri im, ai ka pasur vlera si njeri i mirë dhe është një artist shumë i madh. Astriti më ka marr në grupin e muzikës që në moshën 15 vjeç, dhe pothuajse kam punuar gjatë gjithë jetës time me të. Ai ka qenë shumë i dashur me njerëzit dhe me publikun, ishte tepër korrekt me të gjithë. Astriti ka qenë një nga këngëtaret më të mirë në Shqipëri, po ashtu edhe në Evropë, ai nuk ka dështuar kurrë si në dasma edhe në koncertet brenda dhe jashtë vendit. Zëri i Astritit ishte brilant. Më vjen shumë keq, sepse u nda nga jeta shumë i ri dhe u shua një yll i muzikës. Allahu e mëshiroftë dhe i shkoftë shpirti në xhenet.”
Një nga bashkëpunimet më të bukura kanë qenë me këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Eli Fara. Në vitin 2012, së bashku me Astrit Qerimin morën pjesë në festivalin e Kënga Magjike me këngë të titulluar “Romale”, një këngë e cila këndohet ende dhe është hit. Në atë kohë, kënga arriti në finale dhe u vlerësua me një çmim.
“Ideja për të bërë këtë bashkëpunim i lindi kompozitorit Adrian Hila. Kënga që të kishte nuance ballkanike me një zë të veçantë etno, këto cilësi i kishte i ndjeri Astrit Qerimi, dhe besoj që është një nga këngëtarët më elegant, më profesional me ato ngjyrat e veçanta që përfaqëson atë pjesën e kulturës Rome denjësisht. Për mua ishte një kënaqësi për të bërë një bashkëpunim të tillë.”
Gjatë përpunimit të këngës, Eli na tregon që u mblodhën me Pandi Laçon dhe Adrian Hilën dhe kishin menduar për ta nisur dhe ta ndërtonin këngën dhe për ta përshkruar me atë jetën e bukur të komunitetit Rom, të cilët janë të lirë, që dashurojnë në arrati në çdo vend të botës që ata jetojnë. Eli Fara shprehet se kënga Romale është hit i përjetshëm!
“Absolutisht, kënga “Romale” ishte e bukur dhe u prit shumë bukur nga publiku, në të gjitha këngët që kanë marr pjesë në kompeticionin “Kënga Magjike”, dhe është një këngë që do të jetojë përjetësisht me zërin e Astritit. Duke pasur këtë sukses, menduam të bënim një tjetër bashkëpunim dhe pse jo të kishim sërish zërin e Astritit që të mbetej gjatë në kujtesën tonë. Sepse ne artistët kur bëjmë këngë, duam të lëmë pas këngën të jetë e bukur përjetësisht. Dhe me këtë frymë, nisëm të thurim dhe këngën tjetër të titulluar Hallakatem që gjithashtu është një këngë mjaft e dashur sepse unë e këndoj në të gjitha koncertet. Në të gjitha mbrëmjet ku shkoj është këngë që e këndojnë të gjithë dhe ja kemi arritur qëllimit me atë këngë. Ndihem me fat që kam dy bashkëpunime me Astrit Qerimin, sepse është ai këngëtari që përfaqëson denjësisht kulturën dhe muzikën e komunitetit Rom.”
“Zotin Astrit Qerimi, do e kujtoj gjithmonë si një këngëtar me personalitet, fisnik, paqësor, shumë pozitiv dhe me një zë të papërsëritshëm, me ato lulet e veta gjatë këndimit dhe me interpretimin e tij e bëjnë unik. Ne humbëm një artist të dashur për publikun dhe patjetër një njeri si Astriti do të jetë gjithmonë në zemrat tona dhe në zemrat e publikut dhe me zërin e tij që na la, qoftë i parajsës.”
Në vitin 2014, vjen një tjetër bashkëpunim të Astrit Qerimit ishte me këngëtarin Aurel Thëllimi, që së bashku kanë marr pjesë në festivalin “Kënga ime”.
“Në radhë të parë ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të zemrës. Bashkëpunimi lindi rastësish në studion e kompozitorit Adrian Hilës, ai më sugjeroi të këndoja me Astritin dhe pasi ai e mirëpriti këtë bashkëpunim, e realizuam këngën “njësoj” në studion e Sajmir Çilit! Aty njoha në radhë të parë një njeri shumë të thjeshtë me një zë unik dhe një person fisnik në komunikim! Zëri i tij s’ka nevojë të komentohet pasi të gjithë e kanë shijuar atë në shumë dimensione dhe bashkëpunime!”
“Ne kaluam disa etapa në programin “Kënga Ime” në TV Klan duke u vlerësuar dhe me çmim! Kështu ishte një bashkëpunim i cili u pëlqye nga audienca dhe juria, ishte i suksesshëm nga mesazhi i këngës dhe nga melodia, gjë që depërtoi në mënyrë direkte tek dëgjuesi! Për mua ishte një kënaqësi që këtë vlerësim e morëm dhe përjetuam të dy me Astritin! Për mua timbri i zërit të tij dhe saktësia e tij artistike e bën që Astriti do ngelet një ndër zërat më të bukur të skenës Shqiptare! Për një artist si Astrit Qerimi fjalët janë të tepërta…Jam shumë i lumtur që në karrierën time artistike kam një bashkëpunim me Astrit Qerimin dhe jam shumë i trishtuar që ai sot nuk është mes nesh.”
Në vitin 2019, Astrit Qerimi së bashku me djalin e tij Eri Qerimi në bashkëpunim me këngëtar të tjerë i kushtojnë një këngë nipit të tij Keysan, një këngë e cila ka arritur rreth 10 milion klikime ne YouTube. Kjo ka qenë hera e fundit që ai shfaqej në këndim.
Vitet në vijim, Astrit Qerimi iu përkushtua besimit Islam, duke u kthyer në një besimtar i devotshëm, duke falur 5 vaktet e Namazit dhe duke respektuar çdo rit që ka Islami.
Për ta mbyllur këtë shkrim unë dua të them vetëm faleminderit Astrit, që na ke edukuar me këngët e tua!
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/