Mentor Kikia
Duke qenë se këto ditë më duhet ta kaloj kohën në shtëpi për aryse shëndetësore, kam luksin të humbas kohë edhe duke lexuar e dëgjuar për mënyrën se si e humbasin kohën qindra mijëra shqiptarë.
Po flas për një fenomen që unë po e emërtoj si Luizeri. Bëhet fjalë për eksperimentin social BBVIP. Në fakt eksperimenti nuk po ndodh brenda në program, por jashtë.
Në studion e TV-së po zhvillohet një program, ndërsa fenomeni social ndodh në shtëpi, në zyra, në rrugë, kafene, spitale, shkolla…
Produksioni kujdeset që t’i hedhë turmës sa më shumë “kocka”- informacion, deklarata, video, komente, sherre për të promovuar Luizerinë…dhe turma e uritur nuk zhgënjen.
Rreth 500 mijë ndjekës në rrjetet sociale të Luizit.
Rreth 1 miliard klikime në tërësi për postimet e tij.
Mijëra komente në çdo postim.
Histeri mbështetjeje në rrjet (gra që urojnë nënën për djalin që ka dhe që luten te kenë një djalë si Luizi).
Dhjetra programe televizive në media të tjera që i kushtojnë kohë, diskutime dhe komente fenomenit Luiz. Analistë e psikologë që shpjegojnë se përse Luizi qan në mëngjes dhe jo në drekë. Proteste mbeshtetese para BB. Tifozeri në rrjet. Tifozeri në vendet e punës: Me kë je ti? Po ti?
Luizi i shndërruar në model dhe të rinj që duan ti bëjnë flokët si ai.
Qëllimi i një produksioni televiziv është audienca dhe BBVIP ia ka dalë për mrekulli kësaj.
Por çfarë janë të tilla programe? Çfarë duhet të promovojnë ato? Çfarë modeli prodhojnë?
Mbi te gjitha cfarë është dhe çfarë përfaqëson Luizi që të fitojë admirimin e shoqërisë në këtë mënyrë masive, si të ishte një hero që ndryshoi rrjedhën e një historie?
E shesin si artist, por ishte një këngëtar që e braktisi krrierën pa e nisur mirë.
E shesin si diplomat te nivelit te larte, por ishte vetëm një djalosh i ri që e dërguan në Ambasadën Shqiptare në Paris, i gjetën një vend si atashe kulture e turizmi, pa asnjë meritë dhe mbi të gjitha në mënyrë të paligjshme, vetëm sepse duhej të ishte atje për të qenë pranë të fejuarës (vajza e ish- kryetares së Parlamentit atë kohë), e cila ishte me studime ne Paris.
E shesin si jurist, por kishte një licencë noteri që ia hoqën autoritetet sepse nuk e ushtronte, pasi nuk kishte punë.
Atëherë çfarë ka ky njeri për të qenë një model për mijëra njerëz?
Nuk e kam idene se si sillet brenda në shtëpi, sepse nuk e ndjek programin, edhe pse në disa klipe që pashë mu duk arrogant. Megjithatë këtu unë po analizoj fenomenin dhe s’po bëj socio-psikologun e programit. Pasi nuk më intereson.
Personalisht nuk kam asgjë me atë njeri, pasi e mbaj mend vetëm kur këndoi njeherë në një spektakël talentesh që drejtonte Adi Krasta, dhe e ripashë tani që u bë “VIP”. Ai po luan në një show televiziv dhe mesaduket po e bën shumë mirë këtë, derisa ka prodhuar kaq shumë zhurmë. Unë nuk jam as i gëzuar e as i xhelozuar nga fama e Luizit, por unë jam shumë i shqetësuar për mjerimin e shoqërisë. Ndaj dua të pyes sërish: Çfarë vlerash duhet të ketë një njeri që të shërbejë si model për shoqërinë?
Luizeria nuk ndodh vetëm në BB. Në një jetër program televiziv, ku vajzat vishen modestisht shumë pak, u njoftua thyerja e rekordeve në Like e Share. Dhe së shpejti moderatorja njoftonte se programi do të rinisë në një format tjetër, më të nxehtë, ku protagonistët do të jenë të (zh)veshur vetëm me rroba banjoje.
Kam qenë gjithmonë i prirur ta drejtoj gishin tek media si fajtore për këto produksione. Por po bindem çdo ditë e më shumë, se është turma fajtore (sinqerisht ngurroj ta quaj shoqëri këtë turmë që përbën popullin në këtë vend). Turma e keqarsimuar, e deformuar, e keqedukuar, që, ashtu si në lojrat e kohes se Perandorisë Romake, rend pas Luizerisë, pavarësisht se në çfarë forme i ofrohet ajo.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/