
Marjana Koçeku e cila fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet e 11 majit nën siglën e Partisë Socialiste, ka reaguar në rrjete sociale në lidhje me përplasjen e banorëve të Thethit me policinë dhe IMKT-në, të cilët kanë zbarkuar për të shembur ndërtimet pa leje në zonë.
Marjana Koçeku shprehet në rrjete sociale se në Theth është prekur një plagë që po thellohej çdo ditë pasi lidhet me identitetin dhe estetikën kulturore e natyrore. Sipas saj, ndërtimet pa leje, pa historik e pa miratim ligjor u kthyen në një plagë.
Koçeku thekson se kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, kanë bërë një ndërhyrje të domosdoshme në mbrojtje të Thethit, të cilin e quan kopertinë të turizmit shqiptar.
Sipas saj, duhet respektuar një standard i mirëfilltë estetik, urbanistik dhe ligjor në zonat historike dhe turistike. “Për hir të të parëve tanë të mos e vrasim identitetin. Natyra dhe historia nuk falin.”-shprehet Koçeku.
“Dje ne Theth u prek nji plage qe po thellohej dita dites e që lidhet me identitetin dhe estetiken tone kulturore e natyrore. Plaga e ndertimeve pa identitet, pa historik e pa miratim ligjor.
Kryeministri @ediramaal dhe kryetari @becibenet kane ba nji nderhyrje te domosdoshme ne mbrojtje te fshatit Theth qe asht edhe kopertina e turizmit shqiptar.
Duhet respektu nji standart i mirefillte estetik, urbanistik dhe ligjor ne zonat historike dhe turistike.
Per hir te t’pareve tane te mos e vrasim identitetin! Natyra dhe historia s’falin”- shkroi deputetja e PS.
Një banor i zonës, Nikë Guri, tha se janë mbi 500-600 objekte që s’janë në proces legalizimi. Ai e konsideron aksionin një anti-reklamë, duke u shprehur se turistët po largohen nga frika. Sipas banorit aksioni duhet të kryhej në një periudhë tjetër.
“Ne i kemi shtëpitë, por i kemi pa letra, pa tapi. Mund të prekem edhe unë. E kam ndërtuar që në 2009-ën, por s’kam letër, asgjë në botë. Unë kam ndërtuar në pronën e gjyshit. Në 46-ën kemi disa tapi, pronat që i ka pasur gjyshi, janë trashëguar me babën me 7501. Nuk më ka ardhur ndonjë shkresë që mund të ndërhyhet. Por nuk e dimë, se është si lumi, ra shi të mori. S’e di ku po shkon! Premtimi politik është do t’u bëjmë tapitë, do t’u bëjmë këtë, do t’u bëjmë atë! Si shtet ka investuar, por aty ku duhej të investonte për ne fshatarët, është bërë zero investim. Janë mbi 500-600 që s’kanë proces legalizimi. Unë e kam futur në proces legalizimi shtëpinë, por atë s’ma njeh kush. Po ikin të gjithë turistët nga frika se çfarë po bëhet. Është një anti-reklamë e kësaj perle botërore. Po punon kështu shteti për t’i larguar të gjithë. Është gjë e mirë ajo e shembjes, por jo në këtë kohë. Duhet të gjejë kohën e duhur”.
Eliona Shkreli, kryetare PD në Shkodër, mendon që aksioni i IKMT në pikun e sezonit turistik në Theth, është një dëmtim me qëllim i imazhit të pikës turistike, që sjell shkatërrim të ekonomisë, dhe nuk sjell mirëqenie. Sipas Shkrelit Rama tregoi pabesi ndaj banorëve të Thethit, të cilëve në fushatë u premtoi përfundimin e procesit të dhënies së certifikatave të pronësisë, dhe premtoi se ndërtimet pa leje do gjenin zgjidhje me paketën e maleve.
“Opinioni publik s’e ka pritur mirë këtë aksion, duke patur parasysh se Shkodra është bashkia më e varfër në vend, dëmtimi i bizneseve sjell shkatërrim të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare. Ndërhyrja në pikun e sezonit turistik, kur turistët e huaj dhe vendas zgjedhin të vizitojnë pika turistike të Shkodrës dhe Thethin, patjetër që nuk ka se si të ketë ndikim të mire, në sytë e shkodranëve apo turistëve. Ky është një aksion absolutisht i pabazuar jo vetëm në logjikë, por i pabazuar në mirëqenie apo në zhvillimin e turizmit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe Shkodrës konkretisht.
Nëse do kaloja te Thethi, është një pabesi e kryeministrit Rama, pasi në vitin 2024 gjatë fushatës elektorale takoi banorët e Thethit dhe bujti në Theth. Ai u premtoi banorëve që brenda qershorit do përfundonte procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë, dhe ndërtimet pa leje do gjenin zgjidhje me paketën e maleve. Pas më pak se një viti shkoi në pikun e sezonit turistik, duke dëmtuar imazhin me qëllim të asaj pike turistike të asaj pike turistike që është shumë e frekuentuar. Ndërtimet s’mund të quhen pa leje, sepse s’janë në themele. Tronditi jo vetëm banorët, por edhe sytë e opinionit botëror, sepse aty ka shumë turistë nga të gjitha vendet e botës.
Shkreli tha se Rama duhet të shkarkonte veten ose kryebashkiakun Beci, dhe jo nëpunës të vegjel, apo efektivë policie, që marrin urdhra nga lart.
Kjo është një aksionet më të çmendura që kryeministri ka ndërmarrë. Kryeministri duhet në radhë të parë të shkarkojë veten, sepse e pa situatën dhe s’ndërmori asnjë aksion. Mund të shkarkojë kryetarin e bashkisë, pse duhet të shkarkojë nëpunës të vegjël që marrin urdhra nga z.Beci. Lejet i ka dhënë administrata e z.Beci, jo banorët dhe punonjësit e policisë. Ka vënë një njollë turpi në turizmin shqiptar, dhe turizmin verior, në një park kombëtar si Thethi. S’jemi për paligjshmëri, por momenti s’ishte tani. Mund të priste deri në shtator, tetor. Në Theth janë momentalisht 4000 turistë”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/