
Një plan i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendrat e kthimit” në vendet e treta tregon se Britania pas Brexit-it është “në një vend shumë të errët”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për median prestigjioze The Guardian.

Kreu i qeverisë, sipas medias britanike, është shprehur se ideja që Mbretëria e Bashkuar të donte të kërkonte vende për të larguar emigrantët do të kishte qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë.
Qendrat për emigrantët u njoftuan muajin e kaluar nga Keir Starmer gjatë një vizite në Tiranë, ku kjo skemë do të përfshijë ngritjen e kampeve në një vend të tretë ku do të përpunohen kërkesat e njerëzve të cilëve u është refuzuar azil, si edhe u janë “shteruar” rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë thjesht nuk do të kishte qenë e imagjinueshme… që Britania të kërkonte vende për të larguar emigrantët”, u shpreh kreu i qeverisë për The Guardian, duke shtuar se “fakti që sot nuk është thjesht e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është për shkak të Keir Starmer apo Rishi Sunak që po bëjnë diçka të jashtëzakonshme, por sepse Britania është në një vend shumë të errët.”

Sipas medias britanike, “Rama, i cili është i njohur për pikëpamjet e tij të hapura, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha se ishte e vështirë ta pranonte këtë.”
“80% e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit] do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme”, tha Rama.
The Guardian shkruan se “Nën qeveritë e mëparshme konservatore, marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë u tendosën gjithnjë e më shumë, nga akuzat për emigrantë të paligjshëm shqiptarë që “pushtonin” brigjet britanike.”
Prestigjiozja britanike në artikullin e saj shkruan se vizita e Keir Starmer në maj, e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik në Shqipëri, kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe në një bazë të re.
Por theksohet në artikull se “ndërsa ishte në Tiranë, udhëheqësi i Partisë Laburiste tha se bisedimet ishin duke u zhvilluar me një numër vendesh për të ngritur qendrat. Por, në një veprim të parë si një qortim ndaj mysafirit të tij, Rama tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në skemë.”
Duke u përpjekur të sqaronte situatën, Rama tha për The Guardian se Starmer, “një person shumë i mirë dhe i këndshëm as nuk e kishte bërë kërkesën publikisht dhe as nuk kishte qenë udhëheqësi i parë britanik që e kishte hapur privatisht këtë temë.”
Rama u shpreh gjatë intervistës se përgjigjja e tij kishte qenë gjithmonë e njëjtë: “Kam qenë i qartë për këtë që kur Boris Johnson ma kërkoi dhe Rishi ma kërkoi… Gjithmonë kam thënë jo.”

Fakti që Shqipëria kishte rënë dakord më parë për një skemë të ngjashme me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, ishte i ndryshëm për shkak të marrëdhënies shumë të veçantë që kanë të dy vendet, shkruan media britanike.
Ndërsa vazhdon artikulli: “Kjo marrëveshje, e cila parashikonte kapjen e emigrantëve në det dhe dërgimin e shumicës së tyre jo në Itali, por në një qendër pritjeje në Shqipëri për përpunimin e kërkesave të tyre për azil, deri më tani është penguar nga kundërshtime ligjore.”
“Që nga dita kur regjimi brutal stalinist i Shqipërisë u shemb në vitin 1991, Italia i ka qëndruar pranë vendit të tim”, tha Rama në intervistë, duke theksuar se si rezultat, “shqiptarët kishin një pikë të dobët për Romën”.
“Praktikisht ne jemi një vend i përbërë nga dy vende të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita që dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Evropës”, shtoi ai. “Ne kemi një pikë të dobët për Italinë, kështu kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/