
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur seancën parlamentare të së enjtes për të lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi “Ramaduro i Evropës”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha thumboi në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin socialist Petro Koçi, duke deklaruar se “kartelet e nxorën nga parlamenti”, pasi Koçi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai u shpreh se Petro Koçi është i komanduar dhe nuk ka asgjë për të thënë jashtë linjës së partisë.
“Nuk ke asgjë çfarë të thuash se do thuash atë që të kanë programuar. Flet apo jo, njësoj është,” – tha Berisha.
Në të njëjtën linjë ironie, Berisha përmendi edhe dy deputetet e reja të PS-së, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, duke pyetur se ku janë ato gjatë denoncimit të tij për përfshirjen e krimit në zgjedhje dhe duke thënë se ato janë produkt i një procesi që ai e quajti “farsa më e shëmtuar elektorale” në historinë e Shqipërisë.
Ndërkohë Koçi me një retorikë të ashpër i ka kujtuar Berishës ngjarje të 1996, ku përmendi krimet që sipas tij PD ka bërë gjatë zgjedhjeve.
Petro Koci: Sali ti je i fundit në republikë që mund të flasësh për zgjedhje të lira sepse je kampioni i vjedhjes dhe grushtit të shtetit në 1996,
E ke mbarë mend ç’i ke bërë kreut të PS Librazhd dhe kreut të PS Bulqizë, i masakruat, një rrahje barbare me bandat tuaja elektorale.
E mban mend ç’i ke bërë komisionerëve të Fierit? I keni rrahur e nxjerrë nga qendrat e Votimit me bandat që bridhnin në çdo qendër.
Banda juaj qëlloi komisionerin e PS Viktor Binaj, u ndaluat vetëm se ndërhyri ambasadori italian. Ti burgose Fatos Nanon për politikë. Turp të kesh!
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/