
Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës vijon me intensitet, ndërsa deri më tani janë rinumëruar 793 kuti votimi, mbi gjysma e totalit të kutive në këtë qark.
Sipas të dhënave paraprake, procesi nuk ka ndikuar në shpërndarjen e mandateve të fituara nga partitë në rezultatin paraprak, megjithatë ka nxjerrë në pah një numër të konsiderueshëm votash të regjistruara gabimisht.
Partia Demokratike rezulton të ketë fituar më shumë vota në mënyrë të padrejtë nga numërimi i parë, me +411 vota, e ndjekur nga Partia Socialiste me +307 vota. Edhe subjekte të tjera më të vogla si Nisma Shqipëria Bëhet (+37 vota), Mundësia (+30) dhe PSD (+29) rezultojnë me vota të shtuara gabimisht.
Lëvizjet më të ndjeshme janë konstatuar në listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Nga PD, emra si Ilir Alimehmeti, Jorida Tabaku, Ilir Meta dhe Myslym Murrizi kanë përfituar vota të padrejta, ndërsa nga PS janë evidentuar raste të ngjashme për Ervin Hoxhën, Fatmir Xhafajn, Xhemal Qefalian dhe Erion Braçen.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për media se rinumërimi i votave pas zgjedhjeve të 11 Majit nuk është kërkesë e partisë, por e kandidatëve të saj, të cilëve nuk u mohohet e drejta për këtë.
Ai theksoi se beteja për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve do të vazhdojë pa pushim. Ndërsa theksoi se po dalin në dritë të vërtetat mbi farsën elektorale të zhvilluar më 11 Maj.
“Nuk do të ketë reshtur. Vazhdon dhe do të vazhdojë përpjekja dhe beteja jonë gjer ditën e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve. Gjithnjë më shumë po ndriçohen të vërtetat e farsës elektorale të 11 Majit.
Rinumërimi i votave nuk është kërkesë e PD-së, por e kandidatëve të saj të cilëve ne kurrë s’mund ti mohojmë këtë të drejtë.
Teza e PD është “vota vdiq pa hyrë në kuti”, u shpreh Berisha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Sikundër edhe njëherë duhet të sqaroj sepse dëgjoj jo po numërimi, jo po stërnumërimi.
Dhe njëherë, e kam theksuar dhe e theksoj, rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së.
Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë.
Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni.
Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti.
Rinumërimi ka të bëjë me përshtypjen që kandidatët kanë se votat e njërit kandidat mund të jenë spostuar tek votat e një kandidati tjetër po të PD.
Kërkesa e cila nga PD ka përgëzime në çdo rast për shkak të transparencës.
Unë e them këtu, nuk ka gjë më të drejtë se sa të kërkosh të rinumërohen votat në qoftë se ke dyshime se nuk të janë numëruar apo të janë devijuar votat.
Dhe këta kanë bërë një detyrë qytetare.
Kurse për të tjerët, të paguar çdo ditë nga qeveria, përpiqen të mbrojnë farsën, unë u them se janë pjesë e një propagande kriminale antivotë, një propagande që synon të përligjë shkelmimin e të drejtës më themelore të njeriut pas fjalës, që është vota e lirë.
Me asgjë, nuk mund të fshehin më farsën e turpshme, me asnjë Duman, me asnjë Troplin dhe me asgjë tjetër nuk mund të fshehin farsën e turpshme të 11 Majit.
Ju e patë se si u shokua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, kur mësoi për ndërhyrjet brutale të kriminelëve Xhabaftë, të ndërsyer nga ministri Gonxhja kundër një zone që po bënte detyrën, kundër një deputeteje.
Iku koha kur Edi Rama me metoda nga më të ndryshmet shiste në Europë një realitet që në Shqipëri nuk ekzistonte. Kjo nuk ndodh më.
Dhe ata që kritikojnë opozitën se po turpëron Shqipërinë, ata janë turpi i turpit të njeriut, turpi i turpit të Shqipërisë.
Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë.
Do bëjë detyrën e saj.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/