
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi se vendi i tij ka marrë në shqyrtim edhe eliminimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Në një intervistë të dhënë për ABC News të hënën, Netanyahu deklaroi se Izraeli ka shënjestruar më parë edhe shkencëtarë bërthamorë iranianë të nivelit të lartë.
“Ne bëjmë atë që duhet bërë. Kjo nuk do të përshkallëzojë konfliktin, përkundrazi, do ta përfundojë atë”, tha ai teksa u pyet lidhur me mundësinë e eliminimit të Khamenei-t.
Ai akuzoi regjimin iranian për përhapjen e terrorizmit dhe destabilizimin e rajonit për më shumë se pesë dekada: “Ky regjim ka përhapur frikë në gjithë Lindjen e Mesme, ka bombarduar rafineritë e Aramco-s në Arabinë Saudite, ka mbështetur terrorin, përmbysjet dhe sabotimet kudo.”
Netanyahu shtoi se Irani është përgjegjës për atë që e quajti një “luftë të përjetshme”, e cila sipas tij i ka çuar palët në prag të një lufte bërthamore.
“Ne, në fakt, po veprojmë për ta parandaluar një konflikt të tillë. Ne mund t’i japim fund kësaj agresioni vetëm duke u përballur me forcat e së keqes”, tha ai.
Kur u pyet për atentatet ndaj shkencëtarëve bërthamorë iranianë, Netanyahu nuk dha detaje, por tha: “Nuk do të hyj në hollësi, por po, i kemi pasur në shënjestër shkencëtarët e tyre më të rëndësishëm. Janë, në thelb, si ekipi bërthamor i Hitlerit.”
Në lidhje me sinjalet nga Irani për rikthim në bisedime diplomatike, Netanyahu u shpreh se “muk i marrim seriozisht deklaratat e tyre për paqe. Ato janë mashtruese. Kanë gënjyer, kanë manipuluar dhe kanë mashtruar Shtetet e Bashkuara. Dhe ne kemi informacion shumë të besueshëm për këtë.”
I pyetur për politikën izoluese të disa qarqeve në SHBA që përkrahin sloganin “Amerika e para”, Netanyahu tha: “Ne nuk po luftojmë vetëm për veten tonë. Ne po përballemi edhe me armiqtë tuaj. Për hir të Zotit, ata thërrasin ‘Vdekje për Izraelin, vdekje për Amerikën’. Ne jemi thjesht pengesa e parë në rrugën e tyre. Dhe kjo, shumë shpejt, mund të mbërrijë edhe në Amerikë.”
Ai shtoi se kërcënimi iranian nuk është vetëm për Izraelin, por edhe për fqinjët arabë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ata thërrasin ‘Vdekje për Amerikën’. Kjo nuk është shkurtpamësi, është verbëri totale”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/