
Kryeministri Edi Rama, ka uruar socialistët shqiptar me rastin e 34-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste.

Në një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se flamuri i socialistëve e progresistëve shqiptarë është ngjitur më lart se asnjëherë dhe kjo sipas tij, “falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE”.
“Ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim”, shkruan ai më tej.
Postimi i Ramës
MIRËMËNGJES 😊
dhe me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34 vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim❤️🫶
Në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, edhe ministri i Shtetit dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka përcjellë një urim të veçantë për të gjithë kontribuesit ndër vite në forcimin dhe zhvillimin e partisë më të madhe progresiste të vendit.
“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që kanë kontribuar prej ditës së parë e deri më sot,” shprehet Balla në mesazhin e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për themeluesit, liderin e parë Fatos Nano, intelektualin e shquar Dritëro Agolli dhe drejtues të rëndësishëm në periudha sfiduese si Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga e Rexhep Meidani.
Një falënderim i posaçëm iu drejtua gjithashtu çdo anëtari: “Mirënjohje çdo anëtari, çdo patronazhisti, çdo simpatizanti të thjeshtë në Shqipëri dhe në diasporë, drejtuesve në territor.”
Në këtë përvjetor të veçantë, ku Partia Socialiste feston pas fitores së 11 majit, Balla vlerësoi lidershipin e Kryeministrit Edi Rama.
“Mirënjohje Kryetarit tonë Edi RAMA për lidershipin e fitoreve historike #PS2030 për #Shqipërinë2030”
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor të vitit 1991, kur një pjesë e anëtarëve të asokohe Partisë së Punës ekzistuese vendosën të ndahen nga e kaluara, duke iu përshtatur ndryshimit të sistemeve.
Sot, Partia Socialiste mban pushtetin që prej zgjedhjeve të vitit 2013. Në historinë e pluralizmit politik, është e vetmja forcë politike fituese e katër mandateve rresht për të qeverisur Shqipërinë me të njëjtin Kryeministër, Edi Ramën.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/