
Zyrat e Euroatlantikëve janë mbyllur! Partia e djathtë e udhëhequr nga Lulzim Basha nuk do të ketë më të njëjtën seli, prej ku ka qenë e vendosur prej më shumë se një viti, në rrugën Ukraina e Lirë, përballë Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësisht faktit se zyrat janë ende të kontraktuara deri në fund të muajit qershor, zhvendosjet e fundit po bëhen.
Logoja e Euroatlantikëve është po ashtu e dukshme në objektin ku zyrat janë të vendosura, në pjesën e jashtme të godinës, por edhe ajo pritet të hiqet me përmbylljen e zhvendosjes.
Kjo, për shkak se në zgjedhjet e përgjithshme, ai ka arritur të kalojë pragun e 1% të votës kombëtare dhe rrjedhimisht mund të përfitojë fonde dhe të investojë pë një zyrë për zhvillimin e aktivitetit elektoral.
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Koalicioni Euroatlantik arriti të marrë 20 mijë e 863 vota, së bashku me ato të Diasporës, duke siguruar kështu 1.3% të totalit.
Ende nuk lihet të kuptohet megjithatë se ku do të vendosen zyrat e reja të Bashës dhe nëse ai do ta vijojë jetën aktive politike, edhe pse nuk arriti të gjenerojë mandat në zgjedhjet e fundit dhe nuk do të jetë deputet në legjislaturën e ardhshme.

Grupi i “Euro-Atlantikëve” të Lulzim Bashës ka reaguar lidhur me lajmin e raportuar në media se u kishte vënë kyçin zyrave, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, duke mos marrë asnjë mandat. Në reagimin për mediat thuhet se janë në proces ndryshimi të ambienteve ku do të zhvillohet aktiviteti i tyre.
Në lidhje me “zhdukjen” e Lulzim Bashës pas zgjedhjeve, në reagim thuhet se ish-kryedemokrati nuk ka hequr dorë dhe nuk do të heqë nga beteja për të marrë vulën e Partisë Demokratike qoftë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Strasburg, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
“Në lidhje me lajmet e publikuara sot nga media të ndryshme, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik dhe të përgënjeshtrojmë disa informacione të pasakta që po qarkullojnë. Për arsye organizative dhe me qëllim garantimin e mirëadministrimit të punës, jemi në proces ndryshimi të ambienteve ku do të zhvillohet aktiviteti ynë. Kjo nuk nënkupton heqje dorë nga kauza apo angazhimi ynë politik si Partia Demokratike Demokratët Euroatlantikë.
Koalicioni Euroatlantik ka qenë një instrument ligjor për pjesëmarrjen në zgjedhje, ashtu siç është bërë e qartë që pas datës 11 qershor 2024, kur pazari politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës prodhoi vendimin skandaloz të Gjykatës së Apelit. Në asnjë moment z. Basha nuk ka hequr, dhe nuk do të heqë dorë, nga përballja për legjitimitetin e Partisë Demokratike, qoftë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Strasburg, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Sepse padrejtësia nuk duhet të triumfojë në Shqipëri”, – thuhet në një reagim për media.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/