
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Attention”, duke goditur një rast të rishitjes së paligjshme të biletave për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, e cila do të mbahet më 7 qershor.

Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara se në një profil në rrjetin social Instagram, tregtoheshin bileta me çmime shumë herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Mësohet se biletat shiteshin nga 250 deri në 500 euro, ndërsa për sektorin VIP, çmimi arrinte deri në 1500 euro për një biletë.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar tre shtetas: Ledion Metallari 34 vjeç, Arbi Topi 23 vjeç dhe Ilir Lokaj 24 vjeç. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë E. Sh. 25 vjeç dhe një i mitur 16-vjeçar.
Të dyshuarit do të hetohen për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.
“Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2.
Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.
Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.- njoftoi policia e Tiranës.
Tifozët
Grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë bërë një reagim në rrjetet sociale në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi. Ata deklarojnë se edhe pse nuk do të jenë në “Arena Kombëtare” do të mblidhen tek Lulishte Vëllezërit Frashëri përballë Piramidës për të ndjekur ndeshjen me një ekran të madh të vendosur nga vetë ata.
“Tifozat Kuq e Zi nuk ndalen. Pavarësisht se nuk do të jemi në stadium më 7 qershor, kur Shqipëria do të përballet me shkijet, ne do të jemi aty pranë.
Prej orës 19:00 mblidhemi tek Lulishte Vëllezërit Frashëri përballë Piramidës për të ndjekur ndeshjen me një ekran të madh të vendosur nga ne.
Për ne nuk ka rëndësi prezenca në stadium, por do të jemi aty për Kombin, duke kënduar të gjithë krah njëri-tjetrit, në një ditë që shpresojmë të kthehet në festë”- deklaruan tifozët.
Arbitrimi italian
Shqipëri-Serbi, super sfida e së shtunës, më 7 qershor, do t’i besohet një trupe italiane. UEFA ka bërë publike arbritrat e këtij takimi, të gjithë italianë, përfshi këtu edhe arbritrat në dhomën e VAR.
Davide Massa do të jetë kryesor, ndërsa dy asistentët e tij janë Filippo Mali dhe Ciro Carbone.
Ndërkohë në VAR do të jetë Daniele Doveri.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/