
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka reaguar për situatën pas zgjedhjeve të 11 majit, të fituara nga Partia Socialiste, duke ngritur shqetësime serioze për nivelin e ndikimit të krimit të organizuar në politikën shqiptare dhe mungesën e zgjedhjeve të lira.
I ftuar në studion e News24, Mediu deklaroi se “Berisha dhe gjithë opozita kanë marrë një qëndrim që lidhet me fatin e vendit: a do të jemi një vend ku parlamenti vendos për të ardhmen, apo grupet kriminale?”.
Ai theksoi se paralajmërimet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara për luftën ndaj karteleve të drogës tregojnë se krimi ka arritur nivele të tilla që rrezikojnë jetën politike dhe sigurinë kombëtare.
Mediu shtoi se qytetarët duhet të reflektojnë nëse në vend zhvillohen zgjedhje të vërteta dhe të ndershme. “Hajduti që vjedh sot është krenar, ndërsa shqiptarët nuk po flasin për këtë. Është krijuar një narrativë që shmang thelbin e problemit: mungesën e zgjedhjeve të lira”, tha ai.
Kreu i PR gjithashtu kritikoi ashpër sistemin aktual zgjedhor, duke e cilësuar si të padrejtë dhe përjashtues.
“Sistemi zgjedhor për mua ishte i papranueshëm dhe e kam thënë më parë, nuk e kam votuar me bindjen se në një garë politike nuk mund të krijosh dy shtresa, patriarkë dhe plebenj ku këta të fundit mbledhin vota për ata lart dhe marrin ato që ngelen. Parlamenti zgjidhet nga qytetarët. Duhet një marrëdhënie e qartë me qytetarët”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/